Olivia Colman: Do të isha paguar më shumë po të isha burrë
Aktorja britanike fituese e çmimit “Oscar”, Olivia Colman tha se do të ishte paguar “shumë më shumë” për filmat e saj nëse do të ishte burrë, sipas CNN.
“Unë jam shumë e vetëdijshme se nëse do të isha Oliver Colman, do të fitoja shumë më tepër”, tha ajo.
“Jam e vetëdijshme për një pabarazi pagash”, theksoi Colman.
“Hulumtimet sugjerojnë se gratë kanë qenë gjithmonë aktore të suksesshme që shumë njerëz do të paguanin për t’i parë”, tha Colman.
“Aktorët meshkuj paguhen më shumë sepse ekzekutivët mendojnë se ata tërheqin audiencën. Dhe në fakt kjo nuk ka qenë e vërtetë për disa dekada”, tha ajo.
Colman iu bashkua Listës A të Hollivudit në vitin 2019 kur fitoi çmimin “Oscar” për Aktoren Më Të Mirë për rolin e mbretëreshës Anne në filmin “The Favourite”, dhe që atëherë ka pasur dy nominime të tjera.
Së fundmi, ajo u shfaq në filmin “Wonka” dhe pritet të shfaqet në filmin e ardhshëm “Paddington In Peru”.