Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka votuar për miratimin e një harte të re të botës, e cila paraqet më saktë madhësinë relative të shteteve.
Rezoluta, e propozuar nga vendet anëtare të Bashkimit Afrikan së bashku me Bahamas, u miratua me 164 vota pro, ndërsa SHBA-ja votoi kundër. Gjashtë shtete abstenuan: Estonia, Gjeorgjia, Lituania, Moldavia, Serbia dhe Ukraina.
Nisma synon të ofrojë një paraqitje më të barabartë të rajoneve të botës, veçanërisht të Afrikës, e cila në hartat tradicionale shpesh duket shumë më e vogël se madhësia e saj reale.
Shumë harta të përdorura sot bazohen në projeksionin Mercator, të krijuar në vitin 1569 nga hartografi evropian Gerardus Mercator. Ky projeksion është shumë i dobishëm për navigim, por shtrembëron madhësinë e territoreve, sidomos sa më larg ekuatorit të ndodhen ato.
Për shembull, në hartën Mercator, Grenlanda duket pothuajse sa Afrika, ndërsa në realitet Afrika është rreth 14 herë më e madhe se Grenlanda. Në realitet, Grenlanda është përafërsisht sa Republika Demokratike e Kongos.

Rezoluta e OKB-së propozon përdorimin e projeksionit Equal Earth, i cili u krijua në vitin 2018 dhe paraqet më saktë sipërfaqet relative të kontinenteve dhe shteteve.
Në këtë hartë, Afrika shfaqet dukshëm më e madhe, ndërsa Evropa dhe Grenlanda marrin përmasa më afër realitetit. Edhe Brazili duket dukshëm më i madh.
Mbështetësit e ndryshimit argumentojnë se shtrembërimet e hartave tradicionale kanë ndikuar ndër vite në mënyrën se si njerëzit e perceptojnë rëndësinë dhe madhësinë e rajoneve të ndryshme të botës. Në rezolutë thuhet se kjo ka kontribuar në një nënvlerësim simbolik të Afrikës, Amerikës Latine dhe Azisë Jugore.
Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, tha se Franca do të largohet nga projeksioni Mercator dhe do të përdorë paraqitje që pasqyrojnë më saktë sipërfaqen e vendeve. Ai argumentoi se shtrembërimet vizuale, me kalimin e kohës, bëhen pjesë e perceptimit të njerëzve.
Edhe Zelanda e Re ka kritikuar prej kohësh mënyrën se si paraqitet në hartat botërore. Ndërkohë, platforma digjitale si Google Maps vazhdojnë të përdorin një version të projeksionit Mercator, ndërsa rezoluta e OKB-së u bën thirrje platformave teknologjike që të bashkëpunojnë për përdorimin e hartave më të sakta. /Telegrafi/

