Oda Amerikane, e shqetësuar me suspendimin e përmbaruesit privat nga Ministria e Drejtësisë
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka shprehur “shqetësimin e saj të thellë” lidhur me suspendimin së fundmi të një përmbaruesi privat nga ana e Ministrisë së Drejtësisë.
Ky veprim, siç perceptohet nga Oda Amerikane dhe anëtarët e saj, përbën një shembull shqetësues të ndërhyrjes në proceset e pavarura gjyqësore të Kosovës.
“Si avokuese prijëse për interesat e bizneseve dhe investitorëve në Kosovë, Oda Amerikane beson fuqishëm se sundimi i ligjit dhe pavarësia e gjyqësorit janë shtylla themelore për një mjedis të fortë dhe të favorshëm biznesi. Është thelbësore të theksohet se sundimi i ligjit në thelb përfshin kufizimin e ushtrimit arbitrar të pushtetit duke iu nënshtruar kornizës së mirëfilltë ligjore”, thuhet ndër të tjera nga Oda.
Gjithashtu, Oda Amerikane shpreh shqetësimet e saj lidhur me sulmet verbale të përfaqësuesve të ekzekutivit dhe legjislativit ndaj pushtetit gjyqësor dhe institucioneve të drejtësisë, përfshirë Gjykatën Kushtetuese dhe gjykatat e tjera.
“Sulmet e tilla gërryejnë më tej besimin në pavarësinë dhe integritetin e sistemit gjyqësor të Kosovës, i cili është thelbësor për sigurimin e procedurave të drejta dhe transparente ligjore për bizneset dhe investitorët”, thotë Oda.
Themelimi i funksionit të përmbaruesit privat, i mbështetur nga USAID-i, sipas OEAK-së, ka qenë instrumental në asistimin e institucioneve të Kosovës për të përmirësuar përmbarimin e aktvendimeve civile, duke reduktuar në mënyrë dramatike numrin e lëndëve të pazgjidhura përmbarimore në sistemin gjyqësor të Kosovës.
Ky funksion, sipas Odës, jo vetëm që rrit efikasitetin e proceseve gjyqësore, por gjithashtu kontribuon në nxitjen e një mjedisi më të favorshëm për bizneset dhe investitorët, duke siguruar zbatimin në kohë dhe efektiv të vendimeve ligjore.
Andaj, “ndërhyrja e Ministrisë së Drejtësisë jo vetëm që i minon këto shtylla, por gjithashtu i kontribuon rritjes së paparashikueshmërisë dhe mungesës së transparencës rreth kuadrit ligjor dhe rregullativ të vendit dhe respektimin e normave dhe praktikave ndërkombëtare për përmbarimin e aktvendimeve të arbitrazhit ndërkombëtar”.
“Suspendimi i përmbaruesit, për herë të dytë, si vijimësi e rasteve të mëparshme të ndërhyrjeve të perceptuara, dërgon një sinjal shqetësues për investitorët vendas dhe ndërkombëtarë. Ai vë në dyshim garantimin e mbrojtjes ligjore dhe zbatueshmërisë së kontratave në Kosovë. Një klimë e tillë e pasigurisë është e dëmshme për mjedisin e biznesit, duke penguar investimet, rritjen ekonomike e rrjedhimisht edhe përmirësimin e mirëqenies së përgjithshme. Dështimi për të respektuar ndarjen e pushteteve cenon parimet demokratike dhe proceset integruese euroatlantike. Respektimi i këtij parimi mbron nga përqendrimi i pushtetit si dhe mbron pavarësinë e institucioneve kyçe, përfshirë gjyqësorin”.
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i bëri thirrje Ministrisë së Drejtësisë që të marrë parasysh implikimet më të gjera të veprimeve të saj në klimën e biznesit në Kosovë.
“Rikonfirmimi i përkushtimit ndaj pavarësisë së gjyqësorit dhe sundimit të ligjit është imperativ për zhvillimin ekonomik dhe besimin e investitorëve”, u tha në reagimin e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.