HomeAktualeOda Amerikane bën thirrje për përgjegjësi politike dhe për t’i dhënë fund...

Oda Amerikane bën thirrje për përgjegjësi politike dhe për t’i dhënë fund bllokimit institucional

spot_img

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, ka shprehur, siç thotë, shqetësimin e saj të thellë lidhur me bllokimin e vazhdueshëm politik dhe institucional, si dhe skenat e papranueshme brenda Kuvendit të Kosovës, duke përfshirë konfrontimet verbale dhe fizike ndërmjet përfaqësuesve të zgjedhur, si dhe incidentet ndërmjet qytetarëve vizitorë në sallën e Kuvendit.

“Kuvendi duhet të mbetet një vend i debatit demokratik, dinjitetit institucional dhe respektit për qytetarët. Mospajtimet politike, sado të thella, nuk mund të arsyetojnë sjelljen që minon besimin e publikut në institucionet demokratike të Kosovës”, thuhet nga Oda Amerikane.

Kriza e tejzgjatur politike, sipas tyre, tashmë po bart kosto të konsiderueshme ekonomike dhe sociale.

“Pasiguria institucionale dobëson besimin e investitorëve, vonon vendimet për investime të brendshme dhe të jashtme, ngadalëson reformat dhe projektet infrastrukturore, kufizon qasjen në financa ndërkombëtare dhe rrjedhimisht ndikon në rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës. Kosova nuk mund të përballojë humbjen e mundësive të mëtejme për shkak të paralizës politike”.

“Po aq shqetësuese është funksionimi i zgjatur i një qeverie në detyrë në mungesë të një Kuvendi të konstituuar. Pa një Kuvend funksional, Kosova është praktikisht e privuar nga një nga mekanizmat themelorë të qeverisjes demokratike: mbikëqyrjen efektive parlamentare ndaj ekzekutivit. Mungesa e kontrollit parlamentar, llogaridhënies dhe kontrollit institucional për një periudhë të zgjatur rrit rreziqet e keqpërdorimit të resurseve publike, dobëson transparencën dhe krijimin e kushteve për korrupsion potencial e forma të tjera të abuzimit institucional. Kjo përbën një shqetësim serioz jo vetëm për qeverisjen demokratike dhe sundimin e ligjit, por edhe për mjedisin e biznesit dhe investimeve në Kosovë”, thuhet në komunikatën për media.

Oda Amerikane thotë po ashtu se i merr seriozisht thirrjet e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara drejtuar udhëheqësve politikë të Kosovës për krijimin e institucioneve funksionale në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, si dhe vërejtjet se bllokimi i vazhdueshëm po i humbet Kosovës mundësi të mëdha.

“Derisa të gjitha partitë parlamentare mbajnë përgjegjësi për të kontribuar në mënyrë konstruktive në një zgjidhje, përgjegjësia nuk është e barabartë. Forca politike, të cilës i është besuar numri më I madh I mandative nga votuesit mban përgjegjësinë kryesore për krijimin e kushteve të nevojshme për konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e institucioneve funksionale. Fitorja zgjedhore sjell jo vetëm të drejtën për të udhëhequr, por edhe përgjegjësinë për të mundësuar funksionimin e institucioneve.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë u bën thirrje të gjithë hisedarëve politikë që të ulin menjëherë tensionet, të rivendosin dialogun dhe të vendosin stabilitetin demokratik, zhvillimin ekonomik, sundimin e ligjit dhe interesat euroatlantike të Kosovës përmbi kalkulimet e ngushta politike”, thuhet në komunikatën për media.

Lajmet e Fundit

Baton Haxhiu: Besoj se Uran Ismaili do të zgjidhet kryetar i PDK-së, gara do të jetë mes tij dhe Enver Hoxhajt

Analisti Baton Haxhiu ka deklaruar në emisionin “Pressing” se beson që Uran Ismaili do...

Kurti takon Kosin në Mal të Zi, flasin për anëtarësim në BE

Në vigjilje të Samitit të Procesit të Berlinit, sonte në Shën Stefan në Mal...

Kosova U15 në Baku për FIFA U-15 World Cup & Festival

Kombëtarja e Kosovës U15 ka mbajtur sot stërvitjen e parë në Baku të Azerbajxhanit,...

Shiroka Pula takon ipeshkvin Dodë Gjergji, vlerëson kontributin e Kishës Katolike

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur sot në takim ipeshkvin...

Më të lexuarat

Nga reforma territoriale te decentralizimi real në Shqipëri 

Shkruan: Besnik Tahiri Qëndrim këshillues për fazën e ardhshme të reformës së pushtetit vendor në...

SPECIALJA, NDRYSHIM I LIGJIT APO ZHBËRJE E SAJ?

Shkruan: Hisen Berisha Çështja që është ngritur pas aktgjykimit të 16 shtatorit 2026 nuk mund...

DEKLARATË PËR TA ZGJATUR JETËN E DHOMAVE SPECIALE

Shkruan: Hisen Berisha (Nga deklarata te mos/veprimi shtetëror, nga letra me thirrjen “Shko, Hashim” te...