O’Brien: Themelimi i Asociacionit, hap i rëndësishëm

O’Brien: Themelimi i Asociacionit, hap i rëndësishëm

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, tha për transmetuesin publik serb se kërkon që të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë të respektohen.

O’Brien ka qëndruar një ditë më parë në Serbi, ku është takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Ndërkaq, më 21 tetor ai do të qëndrojë në Kosovë dhe do të takohet me kryeministrin kosovar, Albin Kurti.

Në intervistën për RTS-në, O’Brien tha se sa i përket themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe është e rëndësishme që të respektohen marrëveshjet. Në këtë drejtim, ai tha se duhet që në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës të kalojë një draft-statut për Asociacionin.

Zyrtari i lartë amerikan tha po ashtu se duhet të ketë një diskutim më të gjerë lidhur me integrimin e serbëve që jetojnë në Kosovë.

“Asociacioni është një hap i rëndësishëm. Është e rëndësishme të shënohet përparim edhe para formimit të Asociacionit. Është e rëndësishme që njerëzit të jetojnë normalisht, të regjistrohen martesat, fëmijët që lindin dhe në të gjitha këto të punojmë njëkohësisht. Obligimet ekzistojnë që nga viti 2015, kur u nënshkrua [marrëveshja për Asociacionin]. Nuk mund t’iu ofroj një afat kohor, por më e rëndësishmja është që serbët të jetojnë sikurse qytetarët evropianë”, tha O’Brien, raporton Rel.