Nuk ka shtetas të Kosovës të vrarë apo të plagosur në sulmin në Pragë

Nuk ka shtetas të Kosovës të vrarë apo të plagosur në sulmin në Pragë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, ka thënë të enjten se nuk ka shtetas të Kosovës të vrarë apo të plagosur në sulmin që ka ndodhur në Pragë, sipas informacioneve të fundit që ka marrë.

Një student ka vrarë 14 persona në Universitetin e Karlit, dhe ka plagosur 25 të tjerë, 10 prej tyre seriozisht.

Policia ka thënë se sulmuesi, 24-vjeçar, e ka paramenduar sulmin.

Njoftimi i MPJD’së

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është thellësisht e tronditur nga sulmi i armatosur që ndodhi sot në Universitetin e Karlit në Pragë, ku për pasojë humbën jetën 15 persona si dhe mbetën të plagosur dhjetëra të tjerë.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i shpreh ngushëllimet më të thella familjeve të viktimave dhe i uron shërim të shpejt të plagosurve.

MPJD njofton opinionin publik se sipas të dhënave të deritanishme zyrtare nuk ka shtetas të Republikës së Kosovës në mesin e viktimave dhe as të lënduarve.

MPJD, gjithashtu informon opinionin se Ambasada e Republikës së Kosovës në Pragë që në momentin e marrjes së njoftimit ka kontaktuar me profesorë dhe studentë të seksionit të gjuhës shqipe në këtë Fakultet, të cilët ndodheshin në të njejtën ndërtesë ku ndodhi sulmi.

MPJD, nëpërmjet Ambasadës në Pragë ka vendosur njoftimin për shtetasit tanë, përmes të cilit u është bërë thirrje që të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale si dhe ka vënë në dispozicion linjën emergjente telefonike +420 257 217 775, që do jetë në dispozicion 24h për çdo kërkesë për ndihmë konsullore.