Nuk ka rëndësi rezultati i finales, Anglia nis punën për rinovimin e kontratës së Southgates
Federata Angleze do të kërkojë të bindë trajnerin Gareth Southgate që të vazhdojë qëndrimin me Anglinë deri në Botërorin e 2026, shkruan Super Sport.
“Tre Luanët” siguruan vendin në finalen e dytë radhazi pas fitores 2-1 me Holandën pak ditë më parë dhe të dielën do të kenë mundësinë të fitojnë trofeun e parë që pas vitit 1966, ku do të përballen me Spanjën.
Pavarësisht rezultatit të së dielës, Federata Angleze është e sigurtë në aftësitë e Southgate dhe do të kërkojë vazhdimin e bashkëpunimit me teknikun që e ka drejtuar kombëtaren që prej vitit 2016.
Për 53-vjeçarin opinioni ka qenë gjithmonë i ndarë, pasi Southgate ka marrë shumë kritika dhe për humbjen e mundësive të shkëlqyera në vitet paraardhëse për të fituar një trofe. Si në Botërorin e 2018 me gjysmëfinalen e humbur ndaj Kroacisë, në Euro 2021 me finalen e humbur ndaj Italisë apo dhe me Botërorin e 2022 me çerekfinalen e humbur ndaj Francës. Në çdo rast, Anglia ka pasur potencialin për të rrëmbyer trofeun, por ka dështuar gjithnjë në pengesën e fundit.
Nga ana tjetër, nuk duhet mohuar edhe rritja e konsiderueshme e përfaqësueses angleze që prej vitit 2016, kur u emërua Southgate. Në mënyrë të vazhdueshme, “Tre Luanët” po luajnë në fazat më të rëndësishme të turneve, si gjysmëfinalet apo finalet. Gjysmëfinalja në Rusi 2018 ishte e para për Anglinë në një Botëror që prej Itali 1990.
Finalja në Euro 2021 ishte e para për Anglinë që prej 1966. Dhe tanimë, Southgate u bë dhe trajneri i parë në historinë e kombëtares angleze që i çon në dy finale radhazi dhe në një finale që luhet jashtë ishullit.
Përtej të gjithave, ky 8-vjeçar mund të konsiderohet pozitiv dhe Federata Angleze pret konfirmimin nga ana e Gareth Southgate, që nëse fiton në finalen ndaj Spanjës në Euro 2024, do të gdhendë me gërma të arta emrin e tij në historinë e Anglisë, krah Sir Alf Ramseyt, njeriut që udhëhoqi “Tre Luanët” drejt suksesit të vetëm në Botërorin e 1966./ Super Sport