
Njëzet përpjekje të dështuara për ta bërë Kuvendin e Kosovës
Për të njëzetën herë me radhë, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar të premten ta konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.
As thirrja e kryediplomates së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas – e cila vizitoi Prishtinën për herë të parë, të enjten – që partitë parlamentare të bashkëpunojnë për ta zhbllokuar ngërçin politik në vend, nuk solli ndryshim, shkruan Rel.
Dështimi i radhës ndodhi pak pasi disa organizata të shoqërisë civile i bënë thirrje partive “të arrijnë një marrëveshje që i jep fund bllokadës”.
Ato thanë se kriza institucionale me bllokimin e konstituimit të Kuvendit “ka kaluar çdo kufi të tolerueshëm dhe po dëmton jo vetëm Kuvendin, por edhe funksionimin e gjithë sistemit demokratik dhe institucional të vendit”.