Një pyetje për PDK-në, LDK-në, AAK-në dhe Nismën: A është qeverisja e VV-së dhe Kurtit rrezik për Kosovën?

Një pyetje për PDK-në, LDK-në, AAK-në dhe Nismën: A është qeverisja e VV-së dhe Kurtit rrezik për Kosovën?

Nga Ismet Kryeziu

1.
Çfarë po ndodh në të vërtetë me subjektet politike të dala nga zgjedhjet e shkurtit? Në këtë shkrim nuk do të doja të merresha me VV-në dhe Albin Kurtin, as me mënyrën se si po menaxhojnë situatën politike para, gjatë dhe pas zgjedhjeve. Sepse jemi marrë për një kohë të gjatë dhe s’kam çfarë të shtoj më shumë.
Besoj se është e vlefshme të shohim edhe qëndrimet e partive të tjera të ashtuquajtura “opozitë”, sepse në fakt, për momentin jemi pa institucione dhe s’kemi as opozitë, as pozitë. Pas zgjedhjeve të 9 shkurtit i dimë rezultatet, por ende nuk e dimë kush do të jetë në pushtet e kush në opozitë. Përveç disa deklarimeve të herëpashershme politike që na vijnë nga eksponentë politikë – shpesh kontradiktore dhe pa një qëndrim të qartë politik. Të shohim, nëse mundemi, t’i parafrazojmë qëndrimet e tyre.

Le të fillojmë me subjektin më të vogël për nga pesha në Kuvend: NISMA dhe Limaj me 3 vota në parlament kanë një qëndrim politik se kushdo që arrin t’i formojë institucionet dhe ka nevojë për votat e tyre, do t’u bashkëngjiten për të marrë pushtet dhe përgjegjësi. Edhe sipas asaj që kemi dëgjuar në media – më shumë se nga NISMA apo Limaj – ata po kërkojnë pozitën e kryeparlamentarit dhe jo pjesë nga dikasteret e qeverisë. Domethënë, ky subjekt politik e ka bërë të qartë se për të nuk janë problem mospajtimet e deritashme politike apo personale për bashkëqeverisje me VV-në – ato kanë qenë në rrafshin e konsumit politik.

AAK-ja dhe Haradinaj tani me 6 vota në parlament – nuk është subjekt pa peshë dhe mund të jetë aktor në zgjidhjen e krizës institucionale e politike aktuale. Por ky subjekt, ndryshe nga të tjerët, ose i vetmi, tani ka një qëllim të qartë dhe të deklaruar para qytetarëve të Kosovës: Kurtin e sheh si rrezik për Kosovën. Prandaj, barriera për të bashkëpunuar me të nuk është thjesht politike, as për fyerje e ofendime personale, por – sipas tyre – është çështje e sigurisë së vendit. Madje AAK-ja ka bërë një deklarim publik se pranon pa asnjë kusht të jetë pjesë e një qeverisjeje të udhëhequr nga PDK-ja ose LDK-ja, por jo me VV-në.

LDK-ja dhe Abdigjiku me 20 vota në parlament – subjekt me vota të mjaftueshme për të dhënë kontribut dhe për t’u angazhuar për marrje të përgjegjësisë dhe pushtetit. Por gjithashtu, ky subjekt politik, sa i përket mundësisë së një bashkëqeverisjeje me VV-në, është shprehur qartë kundër kësaj ideje. Madje ka refuzuar takimin e ftuar nga Kurti – i vetmi subjekt që kishte marrë ftesë deri tani – si dhe takimet konsultative të thirrura nga Dehari. LDK-ja dhe Abdigjiku kanë shkuar më tej duke e bërë të qartë se nuk do të hyjnë në asnjë koalicion pa pozitën e kryeministrit, apo në një qeveri afatshkurtër. Sipas kësaj, duket se kërkojnë një qeveri me 80 vota, mjaftueshëm edhe për zgjedhjen e presidentit. Që do të thotë një qeveri me mandat të plotë – kërkesë e pamundshme në situatën aktuale nëse nuk krijohet koalicion me VV-në. Pra, qëndrimi i LDK-së për momentin e pamundëson krijimin e një qeverie pa VV-në.

PDK-ja dhe Krasniqi me 24 vota në parlament – subjekt që mund ta zgjidhë krizën politike dhe institucionale aktuale. Potencialisht, me një koalicion me VV-në mund të krijojë një qeveri me mandat të plotë dhe me vota të mjaftueshme për zgjedhjen e presidentit. Por, PDK-ja, duke e konsideruar veten si alternativë serioze qeverisëse, ka theksuar se është e gatshme të udhëheqë një qeveri pa VV-në dhe se është e hapur për zgjedhje të reja. Sa i përket mundësisë së bashkëqeverisjes me VV-në, PDK-ja ka deklaruar se nuk ka pasur një ftesë të tillë, dhe megjithëse mjaft kritike ndaj VV-së, nuk ka bërë një deklarim të prerë si LDK-ja dhe AAK-ja që nuk do të hyjë në koalicion me VV-në në asnjë mënyrë.

3.
Pra kemi një situatë kur për katër vite këto subjekte politike kanë zhvilluar politikat e tyre si alternativa ndaj qeverisjes katërvjeçare, kryesisht të fokusuara dhe kritike ndaj keqqeverisjes, korrupsionit, arrogancës dhe mungesës së transparencës e llogaridhënies, dështimit në politikat e jashtme dhe izolimit ndërkombëtar, keqmenaxhimit dhe rrezikimit të sigurisë së vendit, etj. Përfshirë edhe situata të tjera që kanë çuar në vendosjen e vijave të kuqe për bashkëqeverisje me VV-në. P.sh., LDK-ja ka barriera ndaj gjuhës denigruese, nxitjes së përçarjes qytetare, mosbesimit dhe përvojave të mëparshme të bashkëqeverisjes. Apo PDK-ja, edhe pse s’ka qeverisur asnjëherë me VV-në, ekziston një hendek i madh mes tyre – jo vetëm përplasjet politike, por edhe ato fizike mes eksponentëve të këtyre partive, për të mos folur për akuzat dhe kundërakuzat, deri edhe për tradhti.

Pra, nëse këta besojnë në ato që kanë deklaruar deri tani – se Kurti është rrezik për Kosovën, jo vetëm për sigurinë, por edhe për çështje si izolimi – përsëri mund dhe do të duhej të lëviznin drejt krijimit të një qeverie pa VV-në. Nëse këto parti politike e kanë të qartë çfarë po kërkojnë, hapat për formimin e institucioneve dhe marrëveshja ndërmjet tyre do të ishte shumë më e lehtë për t’u arritur. Përndryshe, mosshfrytëzimi i këtyre mundësive, vijat e kuqe nga secili për secilin dhe mosarritja e bashkëpunimit mes askujt me askënd do të na çojë në zgjedhje të reja me probleme të vjetra. E më mirë dhe më produktiv do të jetë secili veprim sot sesa i njëjti pas dy muajsh.

4.
Shkuarja në zgjedhje si e vetmja mundësi për dalje nga një situatë si kjo e sotmja tregon se asnjëra nga këto parti politike nuk po merr vendime apo qëndrime që kalojnë përtej elektoratit të vet – për të mos thënë interesave dhe grupeve të ngushta brenda subjekteve të tyre. Vendimmarrja dhe roli i tyre në konsolidimin e institucioneve dhe qeverisjen e vendit nuk është i bazuar mbi interesin qytetar, por – sipas deklaratave të tyre – mbi interesin e votuesve të tyre. Kjo është në kundërshtim me thelbin dhe vlerat demokratike: pse mbahen zgjedhjet, pse zgjidhet një deputet, apo pse një parti politike garon në zgjedhje dhe merr përgjegjësi për të bërë politikë – qoftë nga pozita, qoftë nga opozita. Sidomos deputeti, por edhe partia politike nuk është përgjegjëse dhe nuk duhet të jetë llogaridhënëse vetëm ndaj votuesit të vet, por ndaj të gjithë qytetarëve – edhe ndaj atyre që s’kanë votuar fare, apo që kanë votuar ndryshe nga oferta e tyre. Krijimi i politikave, ligjeve dhe vendimeve nuk janë dhe nuk ndikojnë vetëm elektoratin e tyre, por kanë peshë në jetën e të gjithë qytetarëve.