Një muaj që pavijoni i Kosovës ka hapur dyert për vizitorët në Bienalen e Venecias
Janë bërë një muaj që pavijoni i Kosovës ka hapur dyert për vizitorët e edicionit të sivjetmë të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia të Italisë.
Kosova po përfaqësohet nga artistja Doruntina Kastrati me instalacionin e saj skulpturor “Heshtjet kumbuese të metalit dhe lëkurës”, kuruar nga Erëmirë Krasniqi dhe me komisionere Hana Halilaj, që ka për fokus gratë në ekonominë e periudhës së tranzicionit dhe trajton punën e feminizuar, pabarazitë në vendin e punës dhe pasojat e tyre në një fabrikë llokumesh në Prizren.
Instalacioni përbëhet nga katër vepra skulpturore: dy të modeluara sipas gëzhojave të arrave që përdoren në prodhimin e llokumeve dhe dy të modeluara sipas protezave kirurgjike, të cilat reflektojnë operimet që u janë nënshtruar këto gra për shkak të orareve të gjata të punës në këmbë.
Deri më tani mediume të njohura të huaja për art dhe kulturë kanë raportuar për pjesëmarrjen e Kosovës në edicionin e 60-të të Bienales, duke pasqyruar pozitivisht instilacionin e Doruntina Kastratit, që u nderua edhe me “Mirënjohje të veçantë” në kategorinë e çmimeve që ndahen për përfaqësim shtetëror. Gjithashtu instalacioni po merr vëmendjen edhe të artdashësve nga mbarë bota.
Ngjarja më e madhe e artit bashkëkohor në ketë edicion ka bërë bashkë mbi 80 pavijone kombëtare nga vende të ndryshme të botës me temën “Të huaj kudo” dhe është kuruar nga braziliani Adriano Pedrosa.
Për publikun do të jetë e hapur deri më 24 nëntor. Ju ftojmë ta vizitoni! /MKRS