Një muaj paraburgim për shtetasin e Kosovës të arrestuar nga Maqedonia e V. me kërkesë të Serbisë

Një muaj paraburgim për shtetasin e Kosovës të arrestuar nga Maqedonia e V. me kërkesë të Serbisë

Gjykata Themelore në Shkup i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji shtetasit të Kosovës, Blerim Ramadani, bëri të ditur Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, ka njoftuar Rel.

Ramadani u arrestua më 17 korrik në pikëkalimin kufitar Jazhincë – që lidh Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut – në bazë të një fletarrestimi të lëshuar nga Gjykata në Beograd, përmes INTERPOL Serbia, nën akuza për krime lufte.

Sipas MPJD-së, autoritetet serbe e akuzojnë Ramadanin se ka kryer krime lufte në rajonin e Nerodimes verën e vitit 1999.

“Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup është angazhuar me ekip të ekspertëve juridikë për lirimin sa më të shpejtë të zotit Ramadani dhe kthimin e tij në familje. MPJD dhe institucionet e Kosovës do të përdorin të gjitha kanalet diplomatike për të siguruar lirimin e shtetasit tonë”, tha MPJD-ja përmes një njoftimin për medie.

Më herët gjatë 18 korrikut, autoritetet maqedonase konfirmuan arrestimin e Ramadanit në bazë të kërkesës të bërë nga Serbia.

Ramadani, sipas MPJD-së, ka qenë anëtar i Zonës Operative të Nerodimes të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Së fundi, autoritetet në Serbi kanë arrestuar edhe katër shtetas të Kosovës, të cilët Beogradi i ka akuzuar për krime lufte.