Nis stinori pranveror, fitore për Dritën dhe Prishtinën, barazim mes Drenicës dhe Llapit

Nis stinori pranveror, fitore për Dritën dhe Prishtinën, barazim mes Drenicës dhe Llapit

Stinori pranveror në Albi Mall Superligën e Kosovës ka nisur këtë të shtunë me tri ndeshje të xhiros së 19-të.

Kampionia në fuqi, Drita, arkëtoi tri pikë të rëndësishme në udhëtim, duke e mposhtur Ferizajn me rezultat 1:0. Golin e vetëm të ndeshjes e realizoi Kristal Abazaj në minutën e 50-të, duke shënuar golin e tij të pestë në këtë edicion. Me këtë fitore, Drita ngjitet në vendin e tretë me 32 pikë, një më pak se Ballkani dhe Prishtina, ndërsa Ferizaj mbetet në pozitën e nëntë me 19 pikë.

Fitore të rëndësishme shënoi edhe Prishtina, e cila triumfoi në udhëtim ndaj Dukagjinit, me rezultat 1:0, në stadiumin “18 Qershori” në Klinë. Goli i fitores erdhi në minutën e 14-të me golin e Gjelbrim Taipit, gjuajtja e të cilit qëlloi shtyllën e më pas nga shpina e portierit Egzon Fekaj përfundoi në portë.

Me këtë fitore, Prishtina mban vendin e dytë me 33 pikë, ndërsa Dukagjini zbret në pozitën e katërt me 29 pikë.

Ndërkohë, ndeshja mes Drenicës dhe Llapit u mbyll pa fitues, me rezultat 1:1. Takimi u zhvillua në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë, për shkak të gjendjes së rënduar të terrenit në Skenderaj pas vërshimeve të disa javëve më parë. Drenica kaloi e para në epërsi me golin e Ronaldo Chaconit në minutën e 17-të, por mbeti me një lojtar më pak nga minuta e 65-të, pas përjashtimit të Igball Jasharit. E këtë epërsi numerike në fushë Llapi e kapitalizojë në minutën e 82-të përmes Arbnor Ramadanit, duke barazuar shifrat dhe duke siguruar një pikë. Llapi renditet i shtati me 22 pikë, ndërsa Drenica e teta me 21 pikë.

Xhiroja e 19-të vazhdon të dielën, kur lideri Ballkani luan si mysafir ndaj Gjilanit, derisa Malisheva e pret Prishtinën e Re.