
Nis qarkullimi i kamionëve nga Kosova edhe drejt Serbisë pas përfundimit të bllokadës
Qarkullimi i kamionëve dhe mjeteve transportuese nga Kosova drejt kufirit me Serbinë ka filluar të premten pasdite, pasi transportuesit serbë i dhanë fund bllokadës disaditore, njoftoi Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar i Kosovës.
Shoferët e kamionëve nga Serbia thanë në një deklaratë se po i heqin bllokadat pas pesë ditësh sepse Komisioni Evropian “ka njoftuar qartë për herë të parë se shoferët profesionistë janë një kategori e veçantë punëtorësh që kërkojnë një qëndrim më të gjatë në territorin e Bashkimit Evropian se 90 ditë”.
Ndërkohë, më vonë, transportuesit e Bosnjës konfirmuan për Radion Evropa e Lirë se edhe ata kanë hequr gjithashtu bllokadën kufitare.
Më herët, kolegët e tyre nga Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut hoqën dorë prej këtyre masave të enjten, pasi Komisioni Evropian bëri të ditur se po punon në një strategji të re për viza që parasheh zgjidhjen e problemit të ditëve të kufizuara për punëtorët e vendeve të treta që duhet të hyjnë në Zonën Schengen.
