
Nis ‘play-off’-i në Superligën e futsallit, fitojnë Vjosa e Mabetex Prishtina
Ka nisur faza e ‘play-off’-it në Superligën e Kosovës në futsall. Në ndeshjet e para çerekfinale, FC Vjosa Futsall dhe FC Mabetex Prishtina kanë marrë fitore të rëndësishme në rrugën drejt gjysmëfinales, atje ku i presin dy skuadrat që e mbyllën edicionin e rregullt në pozitat e para, FC Prishtina 01 dhe FC Drenica.
FC Vjosa Futsall tregoi formë të mirë në përballjen ndaj FC Drenasit, duke triumfuar me rezultat bindës 3:0.
Golin e parë për mysafirët e shënoi Narcis Alibegu, në minutën e 29-të, ndërsa në fundin e takimit shkëlqyen Jetmir Gashi dhe Mario Blagojevski, të cilët vulosën rezultatin me dy gola të shpejtë në minutën e 38-të.
Në ndeshjen tjetër, FC Mabetex Prishtina dominoi plotësisht ndaj FC Malishevës, duke fituar me rezultat të thellë 8:2.
Pjesa e parë ishte vendimtare për kryeqytetasit, ku përveç golave nga Caio De Jesus (3′) dhe Isak Halili (9′), ata përfituan edhe nga një autogol i Latif Bytyqit (13′).
Në listën e golashënuesve u regjistruan gjithashtu Driton Nishori, Jakup Ramadani, Egzon Hasani, Ismet Ceka dhe Lucas Lourran.
Malisheva reagoi në pjesën e dytë me gola nga Leonis Gashi (29′) dhe Rinor Hoti (31′), por pa sukses për të përmbysur epërsinë.
Ndeshjet e kthimit pritet të jenë vendimtare.