Nis kampi katërditor me futbollistët kandidatë potencialë për Kombëtaren e Kosovës
Ka nisur kampi katërditor me futbollistët që shihen si kandidatë potencialë për t’u bërë pjesë e Kombëtares së Kosovës në të ardhmen.
Përzgjedhësi Franco Foda ka ftuar në këtë grumbullim futbollistë nën moshën 21-vjeçare nga klubet vendore dhe ato evropiane.
Qëllimi i këtij kampi është që të vlerësohen nga afër aftësitë dhe potenciali i secilit futbollist të grumbulluar, por njëherësh që edhe ata të njoftohen me strategjinë dhe filozofinë e lojës së Kombëtares A, për të qenë sa më të gatshëm për ekipin kombëtar.
Në stërvitjen e parë, e cila u zhvillua të dielën në mbrëmje në stadiumin “Fadil Vokrri”, morën pjesë të gjithë futbollistët e ftuar, me përjashtim të Drilon Hazrollajt, i cili nuk iu bashkua ekipit. Ekipit në grumbullim iu bashkua edhe portieri Miran Qela, pavarësisht lëndimit që ka pësuar në skuadrën e tij Munich 1980.
Ndërkohë, për shkak të një problemi shëndetësor, përzgjedhësi Franco Foda mungoi në seancën e parë stërvitore, por ai do t’i bashkohet ekipit në seancën e nesërme, e cila zhvillohet në orën 11:00.
E për ndjenjën e të qenurit pjesë e kampit stërvitor të Kombëtares A folën pas stërvitjes Etnik Brruti, Albin Gashi dhe Erion Avdija.
Etnik Brruti: “Normalisht është privilegj i madh për mua dhe secilin lojtar ta përfaqësojë Kosovën. Çdo njeri po e jep maksimumin në stërvitje. S’ka problem që është vetëm kamp stërvitor, pasi secili përgatitet të jetë i gatshëm për ndeshje kualifikuese. Për momentin jam kapiten te Kombëtarja U21 dhe besoj që në një të ardhme shumë të shpejtë do të arrij edhe në Kombëtaren A të Kosovës”, tha Brruti.
Erion Avdija: “Shumë mirë po më duket këtu me trajnerët e Kombëtares A dhe me lojtarët, shumë prej të cilëve i njoh dhe që kanë luajtur për ekipet e grupmpshave të Kosovës. Stërvitja e parë kaloi shumë mirë, por i kemi edhe tri ditë. Kombëtarja A? Ky ka qenë gjithmonë qëllimi im, por kam kohë ende, jam i ri. Kombëtarja ka portierë të mirë, por mua më mbetet të punoj dhe të paraqitem mirë me klubin. Sigurisht se qëllimi i të gjithëve këtu është për të luajtur me Kombëtaren A”.
Albin Gashi: “Është kënaqësi të luash për Kosovën. Është gjaku im këtu, babai im ka lindur këtu, familja ime është këtu dhe është ndjenjë e mirë”.