
Nis grumbullimi treditor i Dardaneve U17 në Hajvali
Sot ka nisur grumbullimi treditor i Kombëtares së Kosovës U17 për vajza në Kampin Nacional në Hajvali. Ky është grumbullimi i parë për këtë vit dhe i paraprin fazës kualifikuese për Kampionatin Evropian 2026, e cila do të zhvillohet në fund të shkurtit dhe fillim të marsit në Portugali, në kuadër të Ligës A.
Dardanet U17 do të përballen me kundërshtarë të fortë si Spanja, Hungaria dhe Portugalia, me këtë të fundit që është nikoqire e turneut kualifikues.
Përzgjedhësja Sanije Krasniqi theksoi se ky kamp ka për qëllim vlerësimin e gjendjes së lojtareve dhe përgatitjen sa më të mirë për ndeshjet kualifikuese.
“Ky kamp i paraprin kualifikimeve në fund të shkurtit dhe fillim të marsit që do të mbahen në Portugali në Ligën A. Në këtë grumbullim kemi disa vajza që kanë qenë pjesë e kualifikimeve të Ligës B në Moldavi, por edhe lojtare të reja që vijnë nga vendet perëndimore, si dhe disa lojtare nga Kosova që nuk i kemi pasur më herët. Qëllimi është të përgatitemi sa më mirë dhe të vlerësojmë kualitetin e tyre. Para se të udhëtojmë në Portugali, do të kemi edhe një kamp tjetër përfundimtar këtu në Hajvali, me lojtaret që do të selektohen për kualifikime”, u shpreh Krasniqi.
Edhe futbollistja Anisa Meha u shpreh e kënaqur me atmosferën në ekip dhe me angazhimin e lojtareve në këtë grumbullim.
“Është grumbullimi i parë në vitin 2026 dhe gjithçka po shkon shumë mirë. Kemi shumë ardhje të reja që nuk kanë qenë më herët, por janë kombinuar shumë mirë me ekipin. Atmosfera është shumë pozitive dhe po bashkëpunojmë shumë mirë. Kemi kaluar në Ligën A dhe shpresojmë të kemi rezultate të mira dhe pse jo të qëndrojmë në këtë ligë”, tha Meha.
