Nikolla jep dorëheqje si kryetare e kuvendit të Shqipërisë: Është rezultat i një situate personale shëndetësore

Nikolla jep dorëheqje si kryetare e kuvendit të Shqipërisë: Është rezultat i një situate personale shëndetësore

Kryetarja e kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, ka dhënë dorëheqje nga pozita të cilën ajo e mbajti për tri vjet.

Nikolla tha se dorëheqjen e dha si rezultat i një situate personale shëndetësore, e cila sipas saj, ia bën të pamundur ta kryej detyrën e lartë të funksionarit të dytë të shtetit me angazhimin kërkues.

“Jam përpjekur të jap më të mirën time çdo ditë, për të siguruar mbarëvajtjen e punës së këtij parlamenti. Pa i hyrë në hak askujt në këtë sallë. Nëse dikujt i kam krijuar një përshtypje tjetër e siguroj se nuk ka qenë në asnjë mënyrë qëllimi im. Nëse me ndokënd kam gabuar pa dashje i kërkoj ndjesë”.

“Nëse në momente të caktuara, aspak të lehta, kur kjo sallë ka përjetuar situata të palavdërueshme konflikti, kam qenë e detyruar të marr anën e arsyes dhe rregullores së këtij Kuvendi, këtë nuk e kam bërë si palë po si e para mes 140 të barabartëve”.

“Fatmirësisht, përtej akteve të politikës teatrale këtu në këtë sallë, ku kam marrë edhe ndonjë sulm të pamerituar verbal, nga puna jashtë kamerave më mbetet ndjesia e mirë e respektit që më keni dhënë që të gjithë ju. Ju falënderoj të gjithëve dhe shpresoj që të gjithë të keni të njëjtën mbresë nga unë”, shkroi Nikolla, transmeton Klankosova.tv.

Ajo më tej tha se po e mbyll punën e saj si kryetare e kuvendit me lutjen që të mos spekulohet politikisht me largimin e saj të cilin e quajti të padëshiruar.

“Po e mbyll me lutjen që të mos spekulohet politikisht me këtë largim timin të padëshiruar, por të pashmangshëm, sepse besoj që nuk ka asgjë më njerëzore, se sa pamundësia që më detyroi të ndërmarr këtë hap”.

“Shumë faleminderit me mirënjohje të thellë për kolegët që më dhanë privilegjin e besimit të tyre për këtë detyrë, për zgjedhësit që më dhanë votën e tyre për t’i përfaqësuar në këtë Kuvend, ku do bëj më të mirën deri në fund dhe për familjen time që më ka qëndruar pranë në çdo hap.

Tanimë do të kem më shumë kohë e mundësi t’u qëndroj unë më pranë si familjes, ashtu edhe zgjedhësve të mi”, shkroi Nikolla.