Nikki Haley premton të vazhdojë fushatën kundër ish-presidentit Trump
Nikki Haley po e vazhdon fushatën brenda Partisë Republikane, megjithëse nuk duket ndonjë fitore në horizont për të.
Ish-ambasadorja amerikane në OKB ka mbetur e vetmja kandidate republikane që kandidon përballë ish-presidentit Donald Trump për të marrë emërimin zyrtar të Partisë Republikane.
Ekipi i saj po bëhet gati për pasojat e humbjes në zgjedhjet paraprake në vetë shtetin e saj Karolinën e Jugut, që do të mbahen të shtunën. Gjithashtu, ata nuk presin që ajo të fitojë përballë zotit Trump në ndonjë shtet tjetër gjatë javëve në vazhdim.
Por përpara një fjalimi të rëndësishëm të martën, Haley i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se nuk do të heqë dorë nga konkurrimi në zgjedhjet paraprake republikane, pavarësisht nga rezultati që do të dalë të shtunën.
E mbështetur nga fondet më të mëdha të mbledhura ndonjëherë gjatë karrierës së saj politike, ajo u zotua ta vazhdojë përpjekjen kundër zotit Trump të paktën deri në Super të Martën, më 5 mars, kur pesëmbëdhjetë shtete mbajnë njëkohësisht zgjedhjet paraprake.
“Dhjetë ditë deri në Karolinën e Jugut, 20 shtete të tjera do të votojnë. Dua të them se këtu nuk është Rusi. Nuk dëshirojmë që dikush të futet në zgjedhje dhe të marrë 99% të votave”, tha zonja Haley. “Përse ky nxitim? Përse janë të gjithë kaq në panik për faktin që do të më duhet të dal nga kjo garë?”“Refuzoj tërheqjen”, i tha zonja Haley një grupi të vogël mbështetësish të mbledhur në Karolinën e Jugut, në një fjalim ku paraqiti arsyetimin e saj për të qëndruar në garë. “Karolina e Jugut do të votojë të shtunën. Por të dielën, unë do të vazhdoj të kandidoj për presidente. Nuk do të largohem”.
Në fakt, disa republikanë po e inkurajojnë zonjën Haley ta vazhdojë fushatën zgjedhore edhe nëse vazhdon të humbasë, madje ndoshta deri edhe në Konventën Kombëtare Republikane që do të mbahet në korrik. Prania e saj mund të rezultojë e dobishme në rastin nëse ish presidenti 77-vjeçar, ndoshta kandidati më i ekspozuar i një partie kryesore në historinë amerikane, do të dënohej nga gjykata apo do të përfshihej në ndonjë tjetër skandal madhor.
Ndërsa lëvizja e zotit Trump, “Ta Bëjmë Amerikën Sërish Madhështore (MAGA)”, po ushtron trysni për daljen e saj nga gara, zonja Haley në mënyrë sfiduese ka theksuar ekspozimin ligjor të zotit Trump dhe ka kritikuar aktivistët e lëvizjes MAGA që thonë se refuzimi i saj për të mos dalë nga gara, po dëmton shanset që do të ketë zoti Trump në zgjedhjet e përgjithshme në nëntor përballë presidentit Biden.“Kjo është ndoshta gjëja më qesharake që kam dëgjuar ndonjëherë. Nëse dal sot nga gara, këto do të jenë zgjedhjet e përgjithshme më të zgjatura në histori”, i tha zonja Haley agjencisë së lajmeve Associated Press.
Ajo gjithashtu e refuzoi pyetjen nëse ka ndonjë shtet ku ajo mendon se mund ta mposhtë zotin Trump në zgjedhjet paraprake republikane.
“Në vend që të më pyesni se në cilat shtete do të fitoj, përse nuk shtrojmë pyetjen se si do të fitojë ai në zgjedhjet e përgjithshme pasi të ketë kaluar një vit të tërë në sallën e gjykatës?”, tha ajo.
Historia sugjeron se zonja Haley nuk ka ndonjë shans për ta ndalur zotin Trump. Nuk ka ndodhur ndonjëherë më parë që një kandidat republikan të ketë humbur që në dy votimet e para për zgjedhjet paraprake, siç ka humbur zonja Haley me një disavantazh mesatar prej 21% dhe në vazhdim të fitojë emërimin si kandidat zyrtar republikan për president. Anketimet sugjerojnë se ajo është në disavantazh të madh për zgjedhjet e së shtunës në vetë shtetin e saj, si dhe në zgjedhjet në 15 shtete që do të mbahen në Super të Martën. Dhe që kur zoti Trump njoftoi kandidimin e tij për herë të parë në vitin 2015, kanë dështuar të gjitha përpjekjet e kandidatëve të tjerë republikanë për ta ndalur atë./VOA