Nikaj: Qeveria e re do ta kthejë mirëbesimin me BE-në

Nikaj: Qeveria e re do ta kthejë mirëbesimin me BE-në

Sekretari për marrëdhënie me jashtë i Partisë Demokratike të Kosovës, Bernard Nikaj, ka thënë se qeveria e re, e udhëhequr sipas tij, nga Bedri Hamza, gjënë e parë që do ta rivendosë do të jetë një raport i mirëbesimit me BE-në.

Nikaj tha se ajo që nevojitet në marrëdhënien mes Kosovës dhe BE-së është kthimi i mirëbesimit, pasi sipas tij, vendosja e masave ndaj Kosovës ka qenë kryekëput i nxitur nga veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës.

“Sa herë ka pasur dakordime për largim ose për rrugë deri te largimi i masave, ka pasur veprime shtesë që qeveria i ka ndërmarrë ndaj të cilave ka reaguar BE-ja, Quinti dhe ShBA-ja”.

“Prandaj, në diplomaci, baza e marrëdhënieve mes shteteve dhe vendeve siç është BE-ja dhe Kosova është një raport i mirëbesimit, ku veprimet koordinohen, konsultohen dhe pastaj veprohet në bazë të këtyre konsultave”, tha Nikaj në “Info Magazine” në Klan Kosova.

Tutje, ai tha se koordinimi me aleatët, për PDK-në konsiderohet baza që do ta shpie Kosovën përpara në rrugën e vet evropiane.