
Ngadhnjim Arrni, emërohet kryetar i Gjykatës Themelore në Prishtinë
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në takimin e tij të 357-të, miratoi raportin e Panelit për shqyrtimin e aplikacioneve, intervistimin, vlerësimin dhe rekomandimin e kandidatëve për pozitën e kryetarit të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Anëtarët e KGJK-së, pas zhvillimit të procesit të votimit, me shumicë votash dhe një abstenim zgjodhën Ngadhnjim Arrnin kryetar të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Mandati i kryetarit, është pesëvjeçar dhe do të filloj nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
Ngadhnjim Arrni është gjyqtar në Departamentin Special në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Gjyqtari Arrni ka diplomuar në Fakultetin Juridik – Universiteti i Prishtinës në vitin 2014.
Provimin e jurisprudencës e ka përfunduar në vitin 2016, ndërsa praktikën profesionale e ka mbajtur në periudhën e viteve 2014-2015 në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Nga viti 2016 deri më 2017 ka punuar si zyrtar ligjor në Gjykatën Themelore në Prishtinë përmes programit të USAID – CLE. Gjithashtu në periudhën 2018-2019 ka punuar si Zyrtar i Lartë për Bashkëpunim Profesional në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
Me datë 21.01.2019 Ngadhnjim Arrni është emëruar gjyqtar në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni për Çështje Penale në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Gjyqtari Arrni në janar 2024 është avancuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special dhe me datë 01 shkurt ka filluar punën si gjyqtarë në Departamenti Special, pozitë të cilën ende e mban.
