Nga lojtarët në Serie A te grumbullimi i Abrashit, premiot deri te ndeshja miqësore ndaj Azerbajxhanit: Sylvinho flet për të gjitha
Shqipëria do të luajë nesër në ora 19:00 miqësoren e dytë të planifikuar të muajit qershor ndaj Azerbajxhanit në stadiumin “Haladas Sportkomplexum” në Hungari.
Në prag të kësaj sfide të rëndësishme për kuqezinjtë, trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo doli këtë të enjte në konferencën zyrtare për media.
Trajneri Silvinjo foli për objektivat që ka skuadra në miqësoren me Azerbajxhanin, ndërsa tha se është shumë i kënaqur edhe me impenjimin e të gjithë lojtarëve gjatë këtyre ditëve të fazës përgatitore.
Tekniku brazilian tha se do t’i japë më shumë minuta lojtarëve që nuk kanë luajtur në sfidën e nesërme, Silvinjo komentoi edhe finalet e Evropianit dhe tha se skuadra duhet t’i shijojë këto ndeshje dhe të japë maksumumin në fushë për të marrë pikë.
Miqësorja me Azerbajxhanin – Ne jemi duke zhvilluar përgatitjen për Evropianin dhe kishim në program dy miqësore. Është një proces pune shumë I shpejtë për ne, për stafin teknik, për lojtarët. Nuk është se kemi patur 3-4 javë në dispozicion për t’u përgatitur për Evropianin. Kemi 7 ditë që stërvitemi, mes tyre janë edhe miqësoret. Ne po përgatitemi për ndeshjen me Italinë, por nuk mund të them si do të jetë skuadra, kush do të jetë Shqipëria në atë ndeshje. Kemi edhe pak ditë kohë deri në ndeshjen me Italinë dhe mbetet për t’u parë si do të vijnë gjërat deri në atë moment. E rëndësishme është që në ndeshjen me Azerbajxhanin t’u japim mundësinë lojtarëve, sidomos atyre që nuk kanë luajtur shumë minuta, të provojmë sa më shumë gjëra të reja. Është një proces shumë dinamik, shumë i shpejtë për Kombëtaren.
Motivimi i lojtarëve që luajnë në Serie A? – Fakti që luajmë me Italinë na karikon 100%, motivimi është shumë i madh. Në vitin 1982, isha fëmijë, kam parë ndeshjen Brazil-Itali, një nga ndeshjet më të bukura të Botërorit. Brazili humbi atë ndeshje, kishte shumë brazilian që luanin në Itali, por nuk kishin nevojë të luanin në Serie A për të patur motivimin e duhur. Fakti që luan me Italinë t’i jep të gjitha motivimet, nuk ka rëndësi ku luan. E dimë shumë mirë që Italia ka një fanellë të rëndë, është një nga skuadrat favorite në këto turne. Për ne është e rëndësishme që të përgatitemi mirë.
E ardhmja? – Të gjitha energjitë tona duhet të jenë të fokusuara te ndeshjet me Italinë, Kroacinë dhe Spanjën dhe ndoshta me shpresën për të vazhduar përpara. Në këtë moment jemi 100% të fokusuar tek Evropiani. Po punojmë në kushte shumë të mira këtu në Austri. Nuk jam aspak I shqetësuar për këtë pjesë, për pjesën e kontratës. Kemi përpara një turne shumë të bukur, është diçka fantastike që ne shkojmë përfaqësojmë Shqipërinë, përfaqësojmë kombin në këtë Evropian. I gjithë ky udhëtim ka qenë shumë i bukur, kualifikimi, shorti në skenën e madhe, është gjithçka shumë e bukur. Jemi të fokusuar tek Europiani, më pas do të ulemi të flasim dhe të shohim se çfarë do të ndodhë.
Premio pas Evropianit? – Nuk e di. E rëndësishme për ne është të punojmë dhe të luftojmë fort për çdo pikë. Është nder për ne të marrim pjesë në Evropian dhe raporti jonë me FSHF-në dhe Presidentin Duka është shumë i bukur. Po përjetojmë një aventurë shumë fantastik në Euro.
Shqetësimi më i madh që keni në prag të ndeshjes së parë me Italinë – Do të doja të shikoja më shumë pjesën difensive. Sidomos në ndeshjen e nesërme me Azerbajxhanin, është një mundësi shumë e mirë. Jam i shqëtësuar për ndeshjen me Italinë, është një përballje shumë e fortë. Është një turne që ka një dinamikë shumë të shpejtë. Kemi dhe 7-8 ditë përpara se të shkojmë te sfida jonë hapëse. Aktualisht po mendojmë për sfidën e nesërme, një miqësore shumë e vlefshme për ne, ndaj një skuadre të mirë si Azerbajxhani, që mund të na vendosë në vështirësi. Pas kësaj sfide ne do të ulemi të bëjmë edhe analizat tona, të analizojmë ekipin, qoftë në aspekt individual, por edhe ekipor. Këto miqësore na japin një mundësi të shohim se ku jemi dhe do na ndihmojnë shumë që të përgatitemi se ku jemi.
Entuziazmi para Italisë, deklaratat për fitore? – Ne kemi shumë respekt për rivalët tanë, Italinë, Kroacinë dhe Spanjën. Mbi të gjitha kemi shumë respekt për turneun, për Euro 2024. Nuk i kam dëgjuar këto deklarata, por ju siguroj 100% që ne jemi të ndërgjegjshëm që kemi tre rivale jo të fortë në grup, por tre rivalë shumë shumë të fortë. Sigurisht kemi respekt për rivalët. Kemi parë gjithë këto ditë karikimin e duhur te lojtarët. Prej 9 ditësh përgatitemi për të shijuar sa më mirë Evropianin. Entuziazmi, nëse pyesni për të, është i mirë për të marrë pikë, për këtë jam dakord. Por nëse themi që shkojmë për të mundur Italinë, apo gjëra të këtij niveli mendoj se nuk është e drejtë. Jam I bindur që kemi lojtarë shumë seriozë dhe ne duhet thjeshtë të punojmë, të jemi të përulur, të sakrifikojmë sa më shumë. Në grup nuk kemi 3 skuadra që duan të kualifikohen, pro që hyjnë në këtë turne për të fituar trofeun. Ne nga ana tjetër kemi entuziazmin e duhur për të luftuar për çdo pikë. E kemi thënë shpesh, në një ndeshje futbolli mund të ndodhë gjithçka, mrekulli. Jam i kënaqur që lojtarët e kanë kuptuar që në momentin që kemi nisur punën, që ne jemi një. E pashë këtë në Varshavë me Poloninë, lojtarët bënë paraqitje të mirë. Më kanaqi fakti që e kuptuan se ajo ishte mënyrë e duhur për të zbritur në fushën e lojës, me zemër, me sakrificë.