Netanyahu ringjall planet për të mbyllur Al Jazeera-n në Izrael
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, planifikon të mbyllë kanalin e lajmeve Al Jazeera në Izrael, ka njoftuar partia e tij Likud.
Kryeministri do të mbledhë sot ligjvënësit për të miratuar masën kundër stacionit televiziv satelitor të Katarit, tha partia.
Nëse ligjet e nevojshme ratifikohen, Netanyahu “do të ndërmarrë veprime të menjëhershme për të mbyllur Al Jazeera-n në përputhje me procedurën e përcaktuar në ligj”, thuhet në deklaratën e partisë.
Administrata e Netanyahut e ka kundërshtuar prej kohësh kanalin e lajmeve, duke pretenduar se transmeton mbulim të njëanshëm të konflikteve që përfshijnë Izraelin.