Nesër zyrtarisht fillon fushata për zgjedhjet e 9 shkurtit
Nesër (e shtunë), 11 janar, subjektet politike do ta fillojnë zyrtarisht fushatën zgjedhore.
Për një muaj, partitë dhe kandidatët do të tentojnë t’i bindin votuesit që t’i zgjedhin ata. Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008.
PDK-ja dhe LDK-ja do ta hapin fushatën të shtunën, më 11 janar, në Prishtinë, ndërkaq AAK-ja e nis fushatën me homazhe në Prekaz. Ndërsa LV-ja në Gjakovë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë me dije se numri i votuesve për zgjedhjet e 9 shkurtit do të jetë 2 milionë e 75 mijë e 868 votues brenda dhe jashtë Kosovës. Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1 280 kandidatë.
Në fletëvotim, votuesit do të mund të zgjedhin një subjekt politik dhe deri në dhjetë kandidatë për deputetë. Ky është një ndryshim pas miratimit të Ligjit të ri për Zgjedhjet. Në të kaluarën qytetarët kanë pasur mundësinë të zgjedhin deri në pesë kandidatë.
Secila parti e certifikuar mund të ketë deri në 110 kandidatë në listën zgjedhore.
Nga këto lista do të zgjidhet përbërja e re e Kuvendit me 120 ulëse dhe deputetët më pas zgjedhin qeverinë e re.
Qeveria aktuale në Kosovë udhëhiqet nga Albin Kurti, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje.
Nga 6 janari e deri më 8 shkurt mbi 100 mijë shtetas të Kosovës që jetojnë jashtë vendit do të mund të votojnë me postë për zgjedhjet parlamentare të Kosovës më 9 shkurt.
Policia e Kosovës, bazuar në ligjet pozitive të vendit dhe autorizimeve si agjencion kyç për sigurinë publike në tërë territorin e vendit, ka hartuar urdhrin operativ policor me kohë dhe ka bërë të gjitha planifikimet e saja policore lidhur me “Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës”, të cilat do të mbahen më 9 shkurt.