Nënshkruhet marrëveshja për transforimimin e Pallatit të Rinisë
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka folur për transformimin e Pallatit të Rinisë për sportistët e artistët.
Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se sot e kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit me Mrika Gashin, kryeshefe e ndërmarrjes publike “Pallati i Rinisë”.
“Pas rinovimit të dy hapësirave të rëndësishme, palestrës së sportit dhe amfiteatrit të TKK-së, vazhdojmë me projektin tonë ambicioz të transformimit të tërësishëm të Pallatit të Rinisë në shërbim të artistëve, sportistëve e të rinjve tanë dhe në përgatitje me dinamikë të lartë për mikpritjen e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030”.
“Sot kemi nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit me Mrika Gashin, kryeshefe e ndërmarrjes publike “Pallati i Rinisë”. Në planin tonë të investimeve parashihen ndërhyrjet për rinovim dhe rivitalizim të sallës së madhe të sportit (salla universale), hapësirave dhe strukturave ndërlidhëse të sportit, sallës së kuqe, ateliesë, amfiteatrit të dytë, atriumit, pllatosë dhe parkingut nën-tokësor”, ka thënë Çeku.