Nënshkruhet marrëveshja për fillimin e pagesave të tarifave mujore me rastin e ritransmetimit të veprave audio-vizuele
Nga tash, secili autor dhe prodhues kulturor do të fillojë të kompenzohet për herë të parë për shfrytëzimin e veprave të tyre nga kanalet televizive, hap ky që siguron mbrojtjen e prodhimtarisë artistike dhe përfitimin e merituar material për shfrytëzimin e saj, ka njoftuar Ministria e Kulturës në “Faecbook”.
“Organizata për Menaxhimin Kolektiv të të Drejtave të Autorit VAPIK dhe përdoruesit e të drejtave të autorëve, operatorët kabllorë IPKO Telecommunications, Artmotion, Kujtesa Net, Telkos, ISP Broadcast dhe Optimum Telecommunications, sot kanë nënshkruar marrëveshje për zbatimin e pagesës së tarifave të ritransmetimit siç është rregulluar me vendimin e datës 19.10.2020, me efektivitet nga data 1 prill 2021 e deri më 31.12.2024, dhe në bazë të Ligjit për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta”, ka njoftuar MKRS.
Sipas njoftimit të MKRS-së, marrëveshja siguron pagesën e tarifave të akumuluara që nga viti 2021, përcaktimin e tarifave të zbritura për vitet 2025-2028, tërheqjen e padive nga VAPIK dhe operatorët kabllorë, përcaktimin e tarifave të reja për vitin 2029 me marrëveshje sipas ligjit në fuqi, dhe luftimin e piraterisë dhe informalitetit në treg nga të gjitha palët nënshkruese.
“Ky hap i rëndësishëm siguron konsolidimin e zbatimit të plotë të Ligjit për të Drejtën e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta. MKRS dhe KPM si ndërmjetësues të palëve për arritjen e marrëveshjes, janë siguruar në garantimin e zbatimit të ligjit që reflekton në normat dhe politikat ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtës së autorit. Të njejtit do të sigurohen për monitorimin e zbatimit të plotë dhe të drejtë të kësaj marrëveshje dhe të ligjit në fuqi nga ana e përdoruesve të të drejtave që janë operatorët kabllorë dhe nga Shoqata e Menaxhimit Kolektiv të të Drejtave të Autorit, VAPIK”, ka njoftuar MKRS.