Në Pagarushë zbulohet lapidari për dëshmorët dhe të rënët e fshatit
Ditën e së dielës, në fshatin Pagarushë u bë zbulimi i lapidarit, përkatësisht pllaka përkujtimore për të rënët e fshatit Pagarushë, dëshmorët dhe martirët e fshatit.
Në këtë ngjarje mori pjesë kryetari i komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, Nait Hasani, njëri nga themeluesit e UÇK-së, pastaj Kadri Kryeziu dhe përfaqësues të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, të politikës dhe qytetarë të shumtë.
Pllakën për të rënët e fshatit e shpalosën familjarët e dëshmorëve të fshatit, së bashku me kryetarin e Kastratin.
Në fjalën e rastit, Kastrati tha se “kjo pllakë, me këta emra, në vete mbanë të gjitha vlerat më të larta të një kombi: luftën, krenarinë, dinjitetin dhe sakrificën. Ne sa më shumë që i respektojmë këto vlera, do të jemi gjithmonë më mirë. Lavdi dëshmorëve dhe të rënëve të kombit”.
Ndërsa, Hasani, në fjalën e tij, bëri thirrje për unitet dhe mbrojtje të vlerave të luftës. Ai theksoi se këto vlera sot mbrohen duke mbrojtur krerët e luftës, të cilët padrejtësisht po gjykohen në Hagë, dhe duke i mbrojtur ata, ne mbrojmë edhe lirinë që kemi fituar.
Hasani gjithashtu i përgëzoi pagarushasit për këtë vepër dhe për kontributin e këtij fshati, sidomos gjatë luftës së fundit, ku kanë mbajtur me bukë mbi 100 mijë banorë të zhvendosur dhe kanë furnizuar me armë të gjithë ata që kanë luftuar.
Në emër të degës së OVL të UÇK-së foli Januz Mazreku, i cili theksoi se pa krismat e pushkës dhe gjakun e derdhur të dëshmorëve, nuk do ta kishim lirinë.
Në emër të luftëtarëve të fshatit foli Sahit Pagarusha, ndërsa në emër të familjeve të dëshmorëve foli Fidaim Krasniqi. Për historinë e fshatit dhe kontributin në luftë foli Nysret Kryeziu.
Kadri Kryeziu, në fjalën e tij, vuri në dukje se në të gjitha luftërat e 100 viteve të fundit në trojet shqiptare, ka qenë e pamundur të mos ketë marrë pjesë dikush nga Pagarusha.