Në Lluashë zbulohet Monumenti i daljes në skenë për herë të UÇK-së
“27 vite më parë, teksa po varrosej mësuesi Halit Geci, i vrarë nga forcat policore serbe, në sytë e mijëra shqiptarëve, u shfaq për herë të parë në publik dhe nëpërmjet çlirimtarëve Mujë Krasniqi, tashmë dëshmor, Rexhep Selimi dhe Duat Haradinaj, Ushtria Çlirimtate e Kosovës, e cila kishte marrë mbi supe përgjegjësinë e mbrojtjes së popullit të Kosovës nga agresioni serb, ndërsa mision përfundimtar kishte lirinë e vendit”, ka shkruar në Facebook kryetari i Skenderajt, Fadil Nura.
Ai ka shtuar se: “Sot, në kujtim të pavdekësisë së atij momenti historik, në Lluashë u zbulua Monumenti i daljes në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një obligim i përmbushur në ruajtjen e historisë sonë të lavdishme dhe tri shkronjave të arta, UÇK!”, ka shkruar Nura.