Në 43-vjetorin e demonstratave studentore, Kurti viziton mensën në Prishtinë

Në 43-vjetorin e demonstratave studentore, Kurti viziton mensën në Prishtinë

Kryeministri Albin Kurti, ka mbajtur një bashkëbisedim me ish- të burgosurit politikë dhe studentët në shënim të 43-vjetorit të demonstratave të vitit 1981, që u organizua në Mensën e Studentëve, në Prishtinë.

Duke kujtuar periudhën e asaj kohe, kryeministri Kurti tha se pranvera e vitit 1981 vazhdon të jetë një gurthemel i shtetit republikan të Kosovës së pavarur, por njëkohësisht edhe shembull i zellit studentor, që nuk përfundon me studimet, por vetëm sa nisë me to, meqenëse përfaqëson edhe pjesën më të emancipuar politikisht e kombëtarisht të popullit tonë e të shoqërisë sonë.

Ai ka shprehur falënderimin dhe mirënjohjen e thellë për të gjithë pjesëmarrësit e atyre demonstratave, duke theksuar se gjithçka kishte nisur më 4 mars këtu në Mensën e Studentëve, 11 marsi që u pasua edhe me 26 marsin dhe 1 e 2 prillin dhe u tronditën themelet e padrejta të Jugosllavisë, që patën për parullë kryesore atë që e kemi thënë të gjithë ne me aktivizmin tonë, pra Kosova Republikë.

“Nga Kosova Republikë te Republika e Kosovës, kështu pra lidhen brezat e shqiptarëve, të cilën bëjnë betejë të paepur për çlirim e për barazi”, tha kryeministri Kurti, duke theksuar se Kosova e pavarur që sot e gëzojmë në themelet e saj e ka sakrificën e shumë brezave, mundin e shumë gjeneratave, të cilët ne asnjëherë nuk i harrojmë dhe rregullisht i përkujtojmë.