HomeAktualeNë 37-vjetorin e rënies, liderët institucionalë dhe partiakë nderojnë heronjtë Afrim Zhitia...

Në 37-vjetorin e rënies, liderët institucionalë dhe partiakë nderojnë heronjtë Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu

spot_img

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, e shoqëruar nga kryeministri Albin Kurti, ka bërë homazhe të hënën te Varrezat e Dëshmorëve në Velani, në 37-vjetorin e rënies së dëshmorëve Afrim Zhitia e Fahri Fazliu.

Presidentja Justina Shiroka-Pula nderoi jetën dhe veprën e dy atdhetarëve, duke theksuar se sakrifica e tyre mbetet pjesë e pandashme e historisë së përpjekjes së Kosovës për liri.

“Ata nuk e pritën ditën e lirisë, por dhanë jetën që ajo ditë të vinte. Emrat e tyre mbeten të lidhur përgjithmonë me këtë liri dhe me përgjegjësinë tonë për ta bërë Kosovën siç deshën dhe për të cilën u flijuan”, ka theksuar presidentja Shiroka-Pula.

“Bashkë me presidenten e Republikës së Kosovës, zonjën Justina Shiroka-Pula, vendosëm lule të freskëta dhe bëmë homazhe te varret e Afrim Zhitisë dhe të Fahri Fazliut, të cilët para 37 vjetëve ranë heroikisht në ballafaqim të armatosur e të pabarabartë me forcat e shtetit serbo-jugosllav. Në vitin 1989 i kishim Afrimin e Fahriun, e pesë vjet para tyre, në mes të viteve të 80-ta, e kishim Rexhep Malën e Nuhi Berishën. Ishin këto përballje në të cilat rënia heroike e veprimtarëve intelektualë dhe patriotëve idealistë, bëhej ngritje e vetëdijes dhe e organizimit të shqiptarëve. Ishte kjo dekada kur shqiptarët nën ish-Jugosllavi, përbënin 1/8 e popullsisë së gjithmbarshme, por rreth 80 për qind të të gjithë ish të burgosurve politikë ishin shqiptarë”, ka theksuar kryeministri Kurti.

Ai ka shtuar se Afrimi e Fahriu, edhe punuan edhe luftuan, u angazhuan e kontribuuan, për çlirimin e Kosovës, për lirinë e popullit dhe për bashkimin e përparimin e tij. “Ata tani prehen të qetë së bashku me heronjtë tanë të tjerë, Ilir Konushevcin, doktor Hazir Malën, Agron Rrahmanin, Bahri Fazliun, e në mes të gjithë këtyre, simboli i qëndresës shqiptare, Bacë Adem Demaçi. Duke lartësuar Republikën dhe kombin tonë, duke mbrojtur integritetin territorial, duke ruajtur sovranitetin shtetëror, duke rritur ekonominë dhe forcuar ushtrinë, duke ju shërbyer qytetarëve e shoqërisë, ne ju përmbahemi idealeve të dëshmorëve të kombit”, ka thënë Kurti.

Po ashtu nderime kanë bërë edhe përfaqësuesit e partive politike dhe kryetarë komunash.

Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka thënë se heronjtë e kombit, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu i takojnë brezit të hershëm të lëvizjeve për liri, i atdhetarëve që ranë për çlirimin e Kosovës. “Afrimi e Fahriu janë atdhetarët e hershëm që me jetën dhe veprën e tyre motivuan brezat që në fundshekullin e kaluar t’i japin fund robërisë përmes luftës sonë çlirimtare”, ka thënë Haradinaj.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka vlerësuar qëndresën dhe veprën e Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut, duke theksuar se sakrifica e dy heronjve u bë pjesë e vetëdijes së një brezi që do ta vazhdonte rrugën drejt lirisë.

Ai ka thënë se madhështia e veprës së tyre qëndron në bashkimin e bindjes, guximit dhe përgjegjësisë.

Rama ka theksuar se Prishtina e ruan vendin e rënies së tyre si pjesë të historisë më të çmuar, ndërsa ka nënvizuar se Kosova e ka për detyrë që veprën e tyre ta përcjellë te brezat e rinj, përmes edukimit dhe përgjegjësisë për ndërtimin dhe mbrojtjen e shtetit.

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka thënë se Afrimi dhe Fahriu rinisë shqiptare ia dëshmuan rrugën e lirisë me jetën e tyre dhe rënien heroike, më 2 Nëntor 1989. “Përjetësht në zemrat e atdhetarëve. Lavdi heronjve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu!”, ka shkruar në “Facebook” Lladrovci.

Me rastin e 37-vjetorit të rënies së heronjve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, homazhe te varret e tyre kanë bërë edhe deputetët e PDK-së, Përparim Gruda dhe Arian Tahiri. “37 vjet më parë, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu dhanë jetën për ëndrrën e një Kosove të lirë. Sot i kujtojmë me respekt, krenari e mirënjohje të përjetshme. Lavdi për jetë e mot!”, ka shkruar Gruda në “Facebook”.
Më 2 nëntor 1989, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu në Bregun e Diellit në Prishtinë, qëndruan deri në fund përballë forcave serbe. Qëndresa e tyre u bë pjesë e vetëdijes së një brezi që do ta vazhdonte rrugën drejt lirisë.

Lajmet e Fundit

Vendoset gurthemeli i fushës së tretë sportive multifunksionale në Bare

Në fshatin Bare është vendosur gurthemeli i fushës së tretë sportive multifunksionale, duke përmbyllur...

Për çështje familjare, Jakup Krasniqi vjen në Kosovë

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe njëri nga ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,...

Kosova si fuqi globale e xhudos!

Në kuadër të International Strategy Forum Kosova 2026, u zhvillua paneli “Kosova as a...

Albert Krasniqi për Gjykatën Speciale: Është pikërisht ajo që tha Thaçi, politikë

Albert Krasniqi nga “Demokracia Plus”, ka kritikuar Gjykatën Speciale, duke thënë se është organizatë...

Më të lexuarat

Kosova dhe ripërballja me krizën energjetike

Shkruan: Ethem Çeku Ripërsëritja e krizave energjetike në Kosovë pasqyron dobësi strukturore dhe gabime të...

Nga reforma territoriale te decentralizimi real në Shqipëri 

Shkruan: Besnik Tahiri Qëndrim këshillues për fazën e ardhshme të reformës së pushtetit vendor në...

SPECIALJA, NDRYSHIM I LIGJIT APO ZHBËRJE E SAJ?

Shkruan: Hisen Berisha Çështja që është ngritur pas aktgjykimit të 16 shtatorit 2026 nuk mund...