“Ndryshimi i qeverisjes në nivelin qendror të bartet edhe në nivelin lokal”

“Ndryshimi i qeverisjes në nivelin qendror të bartet edhe në nivelin lokal”

Nën drejtimin e Kryesueses së Këshillit, Rinë Zhitia, të dielën u mbajt mbledhja e rregullt e Këshillit të Qendrës së Prishtinës të Lëvizjes Vetëvendosje.

Para delegatëve të pranishëm, foli kryetari i LV-së, njëherësh kryeministër i vendit, Albin Kurti, i cili paraqiti një përmbledhje të përgjithshme mbi situatën politike në vend, proceset, sfidat dhe të arriturat e ekzekutivit gjatë këtij mandati qeverisës.

Përveç çështjeve të karakterit nacional, Kurti foli edhe për aspekte komunale e organizative. “Qendra e Prishtinës e Lëvizjes Vetëvendosje si qendra më e madhe e organizatës sonë, ka rëndësi të veçantë andaj edhe përkushtimi dhe mobilizimi rreth qendrës e për qendrën duhet të jetë i veçantë e sa më i madh”, ka thënë Kurti.

Me një fjalë rasti të pranishmëve iu drejtua edhe kryetari i Qendrës së Prishtinës, Arben Vitia, i cili foli mbi punën e përgjithshme të të gjitha strukturave të Qendrës së Prishtinës, përfshirë Kryesinë e Qendrës, Grupin e Asamblistëve, GVV-në e RVV-në, nënkomitetet dhe sekretariatet e Qendrës.

Vitia potencoi nevojën për angazhim e mobilizim shtesë në mënyrë që ndryshimi i qeverisjes, i ndodhur tashmë në nivelin qendror, të bartet edhe në nivelin lokal.

Mbi çështjet organizative dhe aktivitetin e ndodhur në Qendrën e Prishtinës në periudhën në mes të dy mbledhjeve të Këshillit të Qendrës, si dhe planet dhe projektet e planifikuara e që do të realizohen në të ardhmen e afërt, foli Sekretari i Qendrës së Prishtinës, Egzon Azemi. “Ka shtim të aktiviteteve e të takimeve në Pika, në lagje e fshatra të qytetit, siç ka edhe rritje të dinamikës së angazhimeve në Kryesi të Qendrës dhe çdo strukturë tjetër mbështetëse”, ka thënë Azemi.

Mbi punën e Grupit të Asamblistëve dhe zhvillimet politike në Prishtinë, foli drejtuesi i Grupit të Asamblistëve, Gëzim Sveçla. Pasi numëroi disa nga punët e bëra nga asamblistët e LV-së në Kuvendin Komunal, ai foli mbi gjendjen e përgjithshme në kryeqytet, e cila është më e rëndë se asnjëherë më parë.

“Nepotizmi, klientelizmi, keqpërdorimi dhe abuzimi me të mirat publike në Komunën e Prishtinës është në nivele alarmante”, ka potencuar Sveçla.