
Ndërpritet seanca konstituive e Kuvendit
Drejtuesi i seancës së Kuvendit, deputeti Avni Dehari, tha se seanca ndërpritet pasi nuk u votua raporti i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit.
Ai ka thënë se do t’i drejtohen me një letër presidentes Vjosa Osmani se si të ecet tutje.
Komisioni i përkohshëm para deputetëve paraqiti raportin dhe kërkoi që ai të votohej, me qëllim që të verifikoheshin mandatet 120 deputetëve të zgjedhur më 9 shkurt, në bazë të listës së certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Deputetët e LVV-së dhe të Nismës Socialdemokrate kanë votuar për raportin. Kundër ishin ata të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së.
“Pesëdhjetë e dy deputetë kanë votuar për, 46 kundër dhe 11 kanë abstenuar. Në bazë të kësaj, konstatojmë se raporti i Komisionit të përkohshëm nuk kalon”, tha kryesuesi i seancës.
Për votoi VV dhe Nisma, kundër ishin LDK, PDK dhe AAK, ndërsa Lista Serbe abstenoi.