Ndahet nga jeta piktori, Rexhep Ferri
Ka vdekur në moshën 86-vjeçare, njëri ndër piktorët më të mëdhenj të artit shqiptar, akademik Rexhep Ferri.
Varrimi i të ndjerit do të bëhet në orën 13:00 në varrezat e Prishtinës.
Këtë e ka bërë të ditur Akademia e Shkencave dhe e Arteve, duke e përshkruar Ferrin të gjeneratës së artë të piktorëve kosovarë.
Rexhep Ferri u lind në Kukës më 1937. Në vitin 1958 mbaroi Shkollën e Mesme të Artit në Pejë, ndërsa në vitin 1966 u diplomua në degën e pikturës të Akademisë së Arteve në Beograd.
Në periudhën 1974-2005 ishte pedagog në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës.
Ka hapur ekspozita të pavarura në Galerinë e Kolektivit Grafik në Beograd (1968 dhe 1973), në Galeria Darte II Cenacolo, Viçenca, Itali (1969), në Galerinë e Qendrës Kulturore, Beograd (1976), në Galerinë Lambert, Paris (1977) në Galerinë e Muzeut Kombëtar, Nish (1980), në Galerinë e Arteve, Prishtinë (1982), në Galerinë e Arteve, Sarajevë (1983), në Galerinë Vakko, Izmir, Ankara dhe Stamboll (1989), në Galerinë Vakko, Stamboll (1998), në Galerinë Kombëtare, Tiranë (2001), në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (2020) etj.
Në respekt të jetës dhe veprës së akademik Rexhep Ferrit, në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës më 7 qershor 2024, në orën 11:00, mbahet mbledhja komemorative dhe më pas, deri në orën 12:00 bëhen homazhe.
ASHAK-u u ka shprehur ngushëllime të ndjera familjes, miqve dhe gjithë artdashësve.