Mustafa: Kurti s’do të vinte në pushtet pa përkrahjen e shumë mediave

Mustafa: Kurti s’do të vinte në pushtet pa përkrahjen e shumë mediave

Ish-kryeministri Isa Mustafa, ka reaguar ndaj përkeqësimit të lirisë së mediave në Kosovë, duke i adresuar kritika të drejtpërdrejta jo vetëm qeverisë Kurti, por edhe vetë mediave që, sipas tij, kanë braktisur profesionalizmin në favor të mbështetjes politike.

Në një postim në Facebook, Mustafa është shprehur se rënia e Kosovës në indeksin global të lirisë së mediave – nga vendi i 75-të në të 99-in – është reflektim i një realiteti ku mediat kanë kontribuar në krijimin e një pushteti autoritar, duke shkelur parimet etike dhe standardet profesionale.

Postimi i tij:

i konsideroj të drejta reagimet me brengosjen lidhur me rënien e indeksit të lirisë së mediave për 24 vende (nga vendi 75 në atë 99), të cilat i adresohen Qeverisë Kurti e cila, dorën në zemër, nuk do të vinte në pushtet pa përkrahjen dhe lobimin e shumë mediave, herë herë jashtë çdo kriteri etik dhe profesional. Qytetarët votuan, për perceptimin që ua plasuan dhe krijuan mediat. Jo për rezultatet, sepse ata që fituan mbi 50 për qind të votave e që akoma janë në pushtet, s’kishin ndërtuar asnjë fabrikë, asnjë rrugë, asnjë shkollë, s’kishin sjellë asnjë njohje ndërkombëtare, s’e kishin çliruar Kosovën as me luftë e as me politikë paqësore, veçse kishin ushtruar kundërshtime me dhunë.
Me të njëjtat shprehi edhe në këto zgjedhje disa nga mediat i ndruan tribunat. Tani përkrahën LDK-në, PDK-në, AAK-në, jo se i kishin dashur ndonjëherë, sidomos LDK-në, por se iu hyri frika nga regjimi autoritar i VV-së. Konsideroj se pak më shumë sjellje profesionale dhe përgjegjësi për fjalën e lirë do të bëjë punë që mediat të evitojnë lopatat e politikës. Prandaj nuk hezitoj të them se jo vetëm pushteti i Kurtit e ka dëmtuar fjalën e lirë dhe demokracinë, por ia kanë ndihmuar edhe vet mediatë veçanta kur profesionalizmin e kanë zëvendësuar me sindromin e adhurueseve politik. Pasojat i bartë Kosova.
IM