​Murati pas reagimit të DASh-it për aksionin në veri: Institucionet vepruan në bazë të ligjit

​Murati pas reagimit të DASh-it për aksionin në veri: Institucionet vepruan në bazë të ligjit

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se mbyllja e gjashtë njësive të Bankës Postare Kursimore në veri është bërë pasi të njëjtat kanë operuar në kundërshtim me ligjin dhe pa licencën përkatëse. I pyetur për reagimin e Departamentit Amerikan të Shtetit, ai nënvizoi se secili veprim i institucioneve është i bazuar mbi ligjshmërinë dhe shtrirjen e sovranitetit në çdo cep të vendit.

Murati në konferencën për media, pas mbledhjes së Qeverisë të mërkurën, tha se tashmë është në dorën e sistemit të drejtësisë sesi do të veprojnë tutje, sa i përket konfiskimit të 1.6 milionë eurove e mbi 74 milionë dinarëve.

“Në lidhje me aksionin e djeshëm është dyshimi i bazuar se aktivitete të tilla janë zhvilluar pa pasur licencën përkatëse financiare, e cila është e kundërligjshme ka pasoja ligjore me këtë. Sa i përket shumave që janë sekuestruar gjatë bastisjes ato i takojnë një procesi gjyqësor pasi prokurori ka dhënë urdhër për bastisjes. Ato përfundojnë si prova dhe pastaj duhet të derivojnë sesi të veprohet tutje nga një proces i mirëfilltë gjyqësor. Tani më prokurori është vënë në lëvizje dhe gjyqësori duhet ta trajtojë si lëndë dhe t’i jep epilog përkatës për shkeljet e ligjit që janë gjetur…Aktivitet financiar mund të jetë çfarëdo aktiviteti pa licencën e nevojshëm pavarësisht desitinimin e mjeteve. Destinimi i mjeteve pastaj është hapi i dytë për të cilin organet e rendit dhe prokuroria duhet të siguronin prova të mjaftueshme për ku kanë qenë mjetet e dedikuara. Edhe po të kishte licencë do të duhej të sigurohemi se kush janë përfituesit dhe mjetet përdoren për qëllime të ligjshme. Të gjitha këto i takojnë organeve të rendit”, tha Murati.

Duke folur për reagimin e Departamentit Amerikan të Shtetit, në të cilin thuhej se veprime të tilla të pakoordinuara përshkallëzojnë tensionet në veri, Murati tha se çdo veprim i institucioneve të Kosovës është i bazuar mbi ligjshmërinë dhe shtrirjen e sovranitetit në çdo cep të vendit.

Ai tha hapja e këtyre njësive postare në vitin 2018 ka qenë i gabuar dhe i dëmshëm.

“Sa i përket reagimit nuk jam në dijeni për detajet. Megjithatë, çdo veprim është i bazuar mbi ligjshmërinë dhe shtrirjen e sovranitetit në çdo cep të vendit. Nuk është se ka ndodhur dje ai aktivitet. Me sa pash nga një reagim i përfaqësuesit të Beogradit në dialog ishte se këto zyra kanë filluar aktivitetin në vitin 2018. Pra nuk është diçka që është trashëguar nga paslufta, por gati 6 vite më herët dhe kanë filluar të zhvillojnë aktivitetin në mënyrë të paligjshme”, shtoi ai.

Ndërkaq, potencoi se për Rregulloren e BQK-së, ku ndalohet përdorimi i dinarit në Kosovë kanë ofruar disa propozime në Bruksel, mirëpo Serbia nuk ishte e gatshme për të pranuar pasi s’ka synim lehtësimin e qytetarëve serbë në Kosovë.

“Ne si qeveri kemi ofruar konstruktivet me disa propozime, por që mesa duket pala serbe nuk ka qenë të gatshme. Ata kanë pasur synime të tjera, jo të lehtësohet jeta për qytetarët dhe të mundësohen transferet për ata qytetarë”, theksoi Murati.

Në anën tjetër, në konferencë për medie ishte edhe ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, i cili tha se janë duke marrë hapa konkret për parandalimin e degradimit të natyrës.

Krahas kësaj, ai tha se janë në fazën finale të hartimit të planit për hartën e rrezikshmërisë nga vërshimet.

“Jemi duke marrë hapa konkret për parandalimin e degradimit të natyrës, qoftë në lumenjtë apo parqe nacionale. Dua t’iu përkujtojë se gjatë këtyre ditëve kemi pas aksione të vazhdueshme nëpër lumenjtë për eksploatimin e zhavorrit. Ky aksion do të vazhdojë me këtë intensitet”, tha ai, shkruan KosovaPress.

Policia e Kosovës gjatë aksionit në veri të vendit ka mbyllur gjashtë filiale të Bankës Postare Kursimore. Në njoftimin e lëshuar nga policia bëhet e ditur se janë konfiskuar 1.6 milion euro e mbi 74 milion dinarë.