Murati: Pa ndihmën e Shqipërisë, s’do të mund të zhvillohej lufta fare

Murati: Pa ndihmën e Shqipërisë, s’do të mund të zhvillohej lufta fare

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka kujtuar periudhën e luftës në Kosovë dhe ndihmën e shteteve aleate në çlirimin e vendit.

Murati tha se Shqipëria kishte rol esencial në luftën e popullit të Kosovës për liri.

“Shqipëria ishte burimi kryesor, ishte përkrahja kryesore logjistike. Shpesh pyesin njerëzit, çka ka ndihmuar Shqipëria, por pa Shqipërinë s’do mund të zhvillohej lufta fare. Jo vetëm që e kishim kufirin, e kishim ndihmën, përkrahjen me eprorë, me armatime, me njerëz etj. Ishte thelbësore ndihma e Shqipërisë, jo vetëm në atë që ndodhi në Koshare në operacionin ‘Shigjeta’, por gjatë gjithë luftës”, tha Murati në Rubikon të Klan Kosovës.

Duke folur për këtë periudhë, Murati tha se shkëputja e Kosovës nga Serbia është një fitore e jashtëzakonshme e vendit.

“Përkundër që ne vazhdojmë me qenë për bashkim, mendojmë se edhe Kosova kështu siç është do duhej ndryshe të ishte e formësuar, por megjithatë ajo që ka ndodhur prej Rambujesë dhe këtej, edhe me çlirimin e Kosovës, s’mund t’i themi ndryshe përveç një mrekulli e jashtëzakonshme. Shkëputja nga Serbia është një fitore shumë e madhe, një fitore e jashtëzakonshme”, tha Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati.