Murati nënshkruan udhëzimin e ri administrativ për arkat fiskale

Murati nënshkruan udhëzimin e ri administrativ për arkat fiskale

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se në kuadër të zbatimit të Ligjit për Administrimin e Procedurave Tatimore, ka nënshkruar Udhëzimin e ri Administrativ për arkat fiskale.

“Ky Udhëzim Administrativ është hartuar nga grupi punues me profesionalizëm dhe vjen pas një pune enorme për zhvillimin e sistemit të ri softwerik i cili do të reformojë komplet sistemin e arkave fiskale, duke e bërë tranzicionin në sistem digjital”.

“Udhëzimi parasheh periudhën tranzitore të kalimit nga sistemi ekzistues në sistemin e ri – pra të gjitha bizneset që tashmë kanë sisteme të arkave fiskale, do të kenë kohë të mjaftueshme për të kaluar në sistemin e ri – për këtë do të njoftohen me kohë. Ndërsa për bizneset e reja apo që ende nuk kane sistem të fiskalizimit, do të ketë periudhë kalimtare prej 60 ditësh derisa të instalojnë sistemin e ri, por që duhet të sigurohen se ndjekin udhëzimet për deklarim të shitjeve ashtu siç e parasheh UA”, ka shkruar ai në “Facebook”.

Sipas tij, sistemi i ri parasheh që softweri i fiskalizimit të ofrohet nga ofruesit e licencuar. “ATK tashmë ka mbajtur takime njoftuese me disa ofrues të tillë, dhe komunikimi me ta do të vazhdojë”, ka shkruar Murati.