
Murati: ATK-ja për herë të parë arrin shifrën prej 1 miliardë euro tatime të mbledhura brenda vitit
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka bërë me dije se Administrata Tatimore e Kosovës për herë të parë ka arritur ta tejkalojë shifrën prej 1 miliardë euro tatime të mbledhura brenda vitit, duke shënuar kështu rekord historik.
“Ky rekord është arritur ende pa përfunduar viti fiskal, me datën 16 dhjetor. Kjo arritje përbën më shumë se dyfishim të mbledhjes së tatimeve brenda vendit, nga 467 milionë euro sa ishte në mbi 1 miliardë euro, për vetëm 5 vite. Gjatë së njëjtës periudhë: Qarkullimi i bizneseve është rritur nga 12 miliardë euro në 25 miliardë euro. Fitimi i korporatave është rritur nga 900 milionë euro në 2.3 miliardë euro. Numri i vendeve të punës është rritur nga 350 mijë në 435 mijë”, ka shkruar në “Facebook” Murati.
