Muhamet Hyseni shpallet “Ylli i Javës” për herë të gjashtë
Federata e Futbollit e Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall vazhdojnë ndarjen e çmimit “Ylli i Javës”. Ky çmim për javën e 32-të në Albi Mall Superligë i ka takuar futbollistit të KF Llapi, Muhamet Hyseni. Kjo është hera e gjashtë në këtë edicion që ai kurorëzohet me këtë çmim.
Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga Komisioni i veteranëve të futbollit në përbërje: Blerim Havolli, Lulzim Rrmoku dhe Agim Xhakolli.
Ky komision vendosi që çmimi “Ylli i Javës” për xhiron e 32-të t’i takojë Muhamet Hysenit pasi ai realizoi dy gola dhe një asist, duke qenë më meritori që Llapi fitoi ndaj Feronikelit 74 (3:2) dhe mbeti në garë për titull.
Pasi mori këtë çmim Hyseni u shpreh i lumtur që sërish u vlerësua si më i miri i javës. “I lumtur për çmimin ‘Ylli i Javës’ i cili është i gjashti për mua. Ky çmim padyshim është motiv shtesë për punë, fitore e çmime të radhës! Këtë çmim e ndaj me të gjithë bashkëlojtarët. Pa bashkëpunimin dhe ndihmën e tyre do të ishte vështirë të shënoja dhe golat e mi të ishin përcaktues në fitoret e skuadrës! Patjetër meritë e suksesit tim dhe e skuadrës është stafi i trajnerëve që po bëjnë punë shumë profesionale, punë e cila dëshmohet me fitoret në vazhdimësi. Besoj se ky është vetëm fillimi i një rrugëtimi të sukseshëm për mua dhe për KF Llapin”, tha Hyseni për faqen zyrtare të FFK-së.