MPJD: Serbia nuk ka interes që të normalizojë raportet me Kosovën

MPJD: Serbia nuk ka interes që të normalizojë raportet me Kosovën

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) e ka akuzuar Serbinë se nuk ka “asnjë interes” që të normalizojë raportet me Kosovën.

MPJD tha se këtë Serbia e dëshmoi me reagimin që bëri kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Kenia më 26 mars.

“Deklarata e tyre e fundit si përgjigje ndaj vendimit sovran të Republikës së Kenias për të njohur Republikën e Kosovës, vërteton se Serbia vazhdon të refuzojë të përmbushë zotimet e saj në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, tha MPJD-ja.

Kenia e njohu pavarësinë e Kosovës më 27 mars dhe Serbia tha se një vendim i tillë përbën “shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare dhe cenim të drejtpërdrejtë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, me të cilën garantohet në mënyrë të qartë sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Serbisë”, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe e konsideron shtetin si pjesë të saj.

Çka tha Serbia?

Ministria e Jashtme e Serbisë tha se e dënon fuqishëm vendimin e Kenias për të njohur pavarësinë e “shpallur në mënyrë të njëanshme nga e ashtuquajtura ‘Kosovë’”.

Në një reagim në ueb-faqen e vet në internet, Ministria e Jashtme serbe tha se ky hap “përbën shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare dhe cenim të drejtpërdrejtë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, me të cilën garantohet në mënyrë të qartë sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Serbisë”.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë erdhi në përfundim në vitin 2010 se pavarësia e Kosovës nuk e shkel të drejtën ndërkombëtare.

Serbia tha se vendimi i Kenias për njohjen e Kosovës mund të ndikojë edhe në marrëdhëniet e Beogradit me shtetin afrikan.

“Ky vendim përfaqëson një precedent të dhimbshëm në marrëdhëniet tradicionalisht miqësore ndërmjet Serbisë dhe Kenias – marrëdhënie që janë ndërtuar për dekada mbi respektin dhe bashkëpunimin e ndërsjellë”, tha ajo.

Ajo tha se Serbia do t’i ndërmarrë “të gjitha masat e nevojshme diplomatike dhe politike si përgjigje ndaj këtij akti të papranueshëm dhe armiqësor”.

MPJD e cilësoi këtë deklaratë si kërcënim “të drejtpërdrejtë dhe alarmues” kundër Kosovës.

“Duke deklaruar se do ta mbrojë ‘me vendosmëri më të madhe’ sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, Serbia po sinjalizon sërish gatishmërinë e saj për agresion”, tha MPJD, duke kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që t’i marrë seriozisht “këto kërcënime”.

“Ne i bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të dënojë ashpër retorikën agresive të Serbisë dhe shkeljet e saj të vazhdueshme të Marrëveshjes së Brukselit obligime që, siç kanë deklaruar presidenti [i Francës, Emmanuel] Macron, kancelari [gjerman, Olaf] Scholz dhe kryeministrja [e Italisë, Giorgia] Meloni, përbëjnë një njohje de facto të Kosovës”, u tha në reagim.

MPJD tha se Serbia po shpërfill zotimet e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, që palët arritën më 2023, përmes refuzimit “të njohjes së Kosovës dhe duke shtrembëruar parimet juridike ndërkombëtare”.