“Molliqaj: Ky vit do të nis instalimin e autonomisë për serbët në Kosovë – do ta kundërshtojmë një projekt të tillë”
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë se ky subjekt politik është themeluar në kushte të rënda.
Në Kuvendin Zgjedhor të PSD-së, ai ka thënë se e ata e kanë filluar aksionin politik kundër pushtetit kur numrat arritën kulmin, kurse propaganda qiellin.
“Në kushte të tilla horizontet mbyllen dhe e vërteta vështirë mendohet. Në këto kushte, edhe për njerëzit normal thjesht kritika duket marrëzi. Ne kemi zgjedhur të veprojmë në këto kushte. Në kushtet kur vala e madhe i merr të gjithë: i merr ata që e mendojnë karrierën; i merr oportunistët që sa herë ndërrohet pushteti e rizbulojnë vetveten në rrobën e re. I heshtë edhe mendjet e ftohta sepse zjarri i etiketave, sharjeve e linçimeve nuk lë hapësirë për normalitetin e tyre”.
“Secili që ka ecur me ne në këto kushte; secili që na ka mbështetur; që e ka thënë një fjalë ose e ka bërë një ndihmë, e ka bërë këtë thjesht dhe vetëm nga bindja e tij. Nga bindja e tij dhe shqetësimi mbi të ardhmen e vendit. Nuk ka ardhur për pushtet, për tendera, as për ndonjë tjetër llogari. Kur ka ardhur, ka gjetur aksion, përballje dhe shoqëri. Domethënia e lirisë shpaloset më mirë, e jehona e saj frymëzon më shumë pikërisht kur e refuzon pushtetin dhe i merr përsipër pasojat. Ne e kemi zgjedhur lirinë sepse iu besojmë njerëzve, e rrugës po gjejmë edhe shoqëri”, ka thënë Molliqaj.
Molliqaj ka thënë se PSD-ja këtë vit ka dy beteja me rëndësi: “Ky vit do të nis instalimin e autonomisë për serbët në Kosovë. Duke besuar thellësisht që kjo do të çojë vendin në ndarje edhe më të thellë dhe shoqërinë edhe më shumë në konflikt, është detyrë e jona të punojmë me qytetarët për ta kundërshtuar një projekt të tillë”.
“Beteja e radhës për PSD është strukturimi dhe shtrija në qytete dhe fshatra. Prandaj ftoj secilin që të bashkohet në punë me ne për këtë qëllim. Por mos të harrojmë sfidën tonë që kemi përpara për ta bërë partinë tone parlamentare”.