Modifikohet formulari “WR” për tatimet e mbajtura në burim
Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se është modifikuar formulari “WR” përmes të cilit deklarohen tatimet e mbajtura në burim, si: tatimi në interes, të drejta pronësore, qira, fitore në lotari, lojëra të fatit dhe tatimi për personin jo rezident.
Ndryshimet në formularin e lartcekur “WR” aplikohen nga periudha janar/2025. Këto ndryshime lehtësojnë përmbushjen e detyrimeve tatimore nga tatimpaguesit, të cilët realizojnë transaksione ndërkombëtare, ndërsa për tatimpaguesit që realizojnë transaksione brenda vendit nuk kanë ndikim.
Në listën (excel file) e cila ngarkohet me rastin e dorëzimit të formularit “WR”, është shtuar një kolonë e re “Shteti” në të cilën tatimpaguesit duhet të vendosin emrin e shtetit me të cilin kanë realizuar transaksione ndërkombëtare.
“Nga periudha janar/2025 e tutje, përderisa tatimpaguesit deklarojnë formularin ‘WR’ përmes listës së re, në të cilën plotësohet edhe informata për shtetin me të cilin personi ka transaksione ndërkombëtare, nuk kërkohet që të dorëzohen në ATK edhe formularët për zbatimin e Marrëveshjeve për Eliminimin e Tatimit të Dyfishtë, siç është kërkuar deri më tani”, ka njoftuar ATK-ja.
Nga viti/2025 e tutje, nuk kërkohet që tatimpaguesit të dorëzojnë në ATK, formularët, si: 1. Formulari – Të ardhurat nga Interesi; 2. Formulari – Të ardhurat nga Dividenta; 3. Formulari – Të ardhurat nga të Drejtat Pronësore; 4. Formulari – Fitimet Kapitale; 5. Formulari – Të Ardhurat tjera; 6. Formulari – Të ardhura nga Shërbimet e Pavarura; 7. Formulari – Të ardhura nga Shërbimet e Varura; dhe 8. Formulari – Të ardhurat nga Fitimet Biznesore.
Këto ndryshime synojnë të rrisin efikasitetin dhe të zvogëlojnë barrën administrative për tatimpaguesit.