MKRS-ja mohon se është pezulluar procedura e zhvillimit të master-planit të Kompleksit Memorial Adem Jashari
Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, ka mohuar se është pezulluar ose ka shkelje procedura e zhvillimit të master-planit të Kompleksit Memorial Adem Jashari në Prekaz.
Kjo ministri tha se kjo procedurë është në zhvillim e sipër sipas rrjedhës së përcaktuar me legjislacionin për prokurim publik, dhe deri më tani nuk ka asnjë vendim përfundimtar rreth këtij procesi.
“Aktualisht, nga data 22.12.2023, ky proces është në fazën ankimore pranë Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) dhe nuk ka konsumuar afatin ligjor për shqyrtim të lëndës”, shkruan në komunikatën e lëshuar nga ministria.
“Duam të sqarojmë opinionin publik që sa herë operatorët ekonomik konkurrues parashtrojnë ankesë pranë OSHP-së, pezullohet procesi i prokurimit dhe nisë të rrjedhë afati ligjor i shqyrtimit të ankesës. Gjithashtu, përfoljet për “shkeljet flagrante” janë pretendime të operatorit ekonomik ankues që nuk është vlerësuar si fitues, dhe në çdo rast janë subjekt i vlerësimit profesional të njësive përgjegjëse institucionale”.