
Misioni i BE-së i vlerëson si pozitive zgjedhjet në Kosovë, por me disa të meta
Misioni vëzhgues i Bashkimit Evropian (BE) i ka vlerësuar zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë si pozitive dhe të qeta, por me disa të meta.
Gjuha negative dhe nxitëse e partisë në pushtet ndaj medias dhe gjyqësorit, ndërhyrja e Serbisë përmes trysnisë ndaj votuesve serbë të Kosovës, si dhe kritikat e një zyrtari amerikan ndaj kryeministrit Albin Kurti gjatë fushatës, ishin disa nga çështjet që u përmendën në konferencën për media të martën, në Prishtinë.
Nathalie Loiseau, shefe e misionit vëzhgues të BE-së në Kosovë, tha se gjetjet fillestare tregojnë se dita e zgjedhjeve ishte e qetë, votuesit kishin mundësi të votonin në kushte të mira, kurse fushata ishte mjaft konkurruese, shkruan Rel.
“Këto janë sinjale që qytetarët e Kosovës janë të përkushtuar ndaj demokracisë”, tha Loiseau.
Megjithatë, Loiseau tha se misioni ka vërejtur se partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, përdori gjuhë negative ndaj medias dhe gjyqësorit gjatë fushatës zgjedhore që zgjati një muaj, nga 11 janari deri më 9 shkurt.