Miratohet Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme

Miratohet Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme

Me ftesë të Komisionit për Legjislacion, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka prezantuar para anëtarëve të Komisionit ndryshimet e adresuara të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, tani pas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Në fjalën e saj, ministrja Haxhiu tha se Projektligji për Byronë, është pjesë e përpjekjeve të Qeverisë dhe Ministrisë së Drejtësisë për zhvillimin dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës, duke përfshirë luftën kundër krimit dhe korrupsionit, dy fenomene që vazhdojnë të përbëjnë sfidë për vendin tonë.

“Një nga sukseset më të rëndësishme ishte konfirmimi i konceptit të konfiskimit civil si një instrument legjitim dhe proporcional për luftën kundër korrupsionit në sektorin publik, një arritje e madhe për shtetin e së drejtës”, tha ministrja Haxhiu.

Tutje Haxhiu tregoi për adresimin e çështjeve të Projektligjit pas shpalljes së aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese duke përmendur këtu nenet kyçe si: Adresimi i Retroaktivitetit të Ligjit, Qartësia e periudhave kohore për verifikimin e pasurisë, Ndryshimin e përbërjes së Komisionit Mbikëqyrës dhe ndarjen e pushteteve.

Në fund ministrja Haxhiu tha se Qeveria nuk ka përpiluar një projektligj të ri, por vetëm janë adresuar në mënyrë specifike çështjet që Gjykata Kushtetuese i konsideroi në kundërshtim me Kushtetutën.
Pas diskutimeve në Komisionin për Legjislacion, anëtarët me 6 vota pro kanë miratuar Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.