Ministrja Haxhiu: Drejtësia të veprojë pas vrasjes së Lulzimit
Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, e ka konsideruar tronditës rastin e vrasjes së të riut Lulzim Fejzullahu në Podujevë nga, siç ka thënë ajo, dy bashkëmoshatarë të tij.
Autoritetet e drejtësisë kanë thënë se Fejzullahu, 18 vjeç, ka vdekur më 20 janar si pasojë e një përleshjeje fizike më 15 janar, dhe për pasojë dy të mitur e kanë goditur me shkop në kokë viktimën.
Viktima është trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku më pas ka vdekur.
Policia i ka ndaluar dy të dyshuarit, ndërsa Prokuroria Themelore të Prishtinë ka nisur rast ndaj tyre, nën dyshimet për kryerje të veprës penale “Vrasje në tentativë”.
Të dy janë në paraburgim.
“Për vrasjen e Lulzimit drejtësia duhet të veprojë dhe dorasët duhet të marrin dënimet e meritore”, ka thënë ministrja Haxhiu.
Rastin e ka dënuar edhe kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, dhe u ka shprehur ngushëllime familjarëve.
Ky rast është dënuar gjerësisht edhe në rrjetet sociale, dhe janë bërë kritika për publikim të incizimeve të përleshjes që ka çuar në vrasjen e Fejzullahut.
Disa kanë thënë se publikime të tilla normalizojnë dhunën në shoqëri.