Ministrja Haxhiu diskutoi për luftën kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të mërkurën, në një tryezë me temën “Lufta kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave: Praktikat dhe avokimi. Zbatimi dhe rruga përpara”, diskutoi mbi hartimin e politikave për parandalimin dhe trajtimin e dhunës ndaj grave nga Ministria e Drejtësisë për çka tha se në këto tri vitet e fundit ka pasur veprime, debate dhe diskutime si asnjëherë më parë mbi dhunën në familje dhe dhunën me bazë gjinore meqë kjo ka qenë edhe prioritet i Qeverisë së Kosovës.
Tutje, ministrja Haxhiu tha se në kuadër të aktiviteteve të Fushatës “16 Ditët Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, do të lansohen edhe tri akte nënligjore, ku me njërin prej tyre do të konsolidohet roli i Koordinatorit Nacional Kundër Dhunës.
Po ashtu do të bëhet lansimi i linjës telefonike falas dhe funksionalizimi i mekanizmave lokale që merren me dhunën në familje dhe dhunën me bazë gjinore.
Ministrja Haxhiu theksoi rëndësinë e bashkëpunim institucional dhe shoqëror për luftimin e dhunës, ndërsa adresoi hendekun midis Ligjit dhe praktikës ku kërkoi që çdo viktimë të trajtohet me dinjitet dhe respekt, dhe që çdo rast dhune të hetohet dhe ndiqet deri në fund.