Ministria Vitia: Së shpejti fertilizimi in vitro në institucionet publike
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë me dije se ka nënshkruar përditësimin më të ri të Listës të Produkteve Mjekësore, në të cilin janë futur produktet e nevojshme për procedurën e fertilizimit in-vitro sipas protokoleve referente.
Ai ka thënë se këto produkte së shpejti do të sigurohen falas për qytetarët nga ana e shtetit.
“Deri më tani për të njëjtat produkte qytetarët tanë kanë shpenzuar 1 000 -1 500 euro në sektorin privat. Një falënderim i veçantë për klinikën e Gjinekologjisë, Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitare të Kosovës, barnatores qendrore të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Komitetit Kyç për angazhimin profesional që këto produkte të futen në Listën e Produkteve Mjekësore. Futja e këtyre produkteve në Listën e Produkteve Mjekësore është parakusht për të ofruar shërbimin e fertilizimit in-vitro për të cilin qytetarët tanë deri më tani kanë shpenzuar me mijëra euro. Së shpejti kjo procedurë do të mund të realizohet në institucionet publike shëndetësore”, ka thënë ministri Vitia.