Ministria e Bujqësisë organizon Darkën e Lamës
Ministria e Bujqësisë ka organizuar Darkën e Lamës, një moment reflektimi dhe falënderimi ndaj Zotit dhe natyrës për begatinë e vitit që po lëmë pas.
“Ky ritual ka shërbyer për shekuj me radhë si shprehje mirënjohjeje për frytet e tokës dhe mundin e njerëzve që e kultivojnë atë”, ka shkruar ministri i Bujqësisë, Faton Pecin.
Ai ka theksuar se këtë vit, Darka e Lamës është edhe një nderim për trashëgiminë tonë dhe një reflektim mbi përpjekjet për të zhvilluar bujqësinë dhe sigurinë ushqimore të Kosovës.
“E shënuam në vitin më të begatë për Kosovën, kur siguruam bukën e motmotit falë përkrahjes së Qeverisë, begatisë së Perendisë, transparencës së Ministrisë dhe djersës së ballit të fermerit meritor”.
“Kremtimi i saj rikthen në kujtesë amanetin e Dr. Ibrahim Rugovës, që një nga prioritetet e tij ishte sigurimi i bukës së motmotit për qytetarët tanë”, ka theksuar ai.
Ministri Peci ka thënë se sukseset e bujqësisë janë një prej dëshmive më të forta të përkushtimit tonë për të ardhmen e sigurt dhe të qëndrueshme të Kosovës.
“Gëzuar për frytet e tokës sonë! Zoti e bekoftë popullin dhe Republikën e Kosovës!”, ka shkruar Peci.