Ministri Maqedonci sqaron letrën dërguar komandantit të KFOR-it
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka reaguar për të sqaruar publikun lidhur me letrën e dërguar komandantit të KFOR-it në lidhje me angazhimin e Gardës Ceremoniale të FSK-së gjatë një ceremonie mortore më 24 nëntor 2024.
Ministri ritheksoi se nuk ka të bëj me rizotim por sqarim mbi rrethanat e angazhimit të njësisë së FSK-së.
Në vijim gjeni postimin e plotë të ministrit Maqedonci:
“S’ka rizotim, por sqarim
Asgjë të re për publikun nuk paraqet letra dërguar Komandantit të KFOR-it për ngjarjen e 24 Nëntorit të vitit 2024, kur Garda Ceremoniale ishte angazhuar në veri të vendit në një cermoni mortore.
Qëllimi i letrës së dërguar është sqaruar edhe më parë dhe ai mbetet i vlefshëm sepse është i vërtetë. Letra në fjalë është dërguar me qëllimin që t’i sqarohen Komandantit të KFOR-it rrethanat e angazhimit të një njësie të FSK-së në njërën nga komunat në veri të vendit, si dhe ta siguroj atë që nuk ka pasur për qëllim në asnjë rast tensionimin e situatës. Në asnjë mënyrë, letra nuk paraqet rizotim dhe nuk mund të interpretohet si rizotim, pasi për angazhimin e FSK-së në veri të Kosovës, ekziston një dokument në fuqi i dhënë si zotim nga ish-Kryeministri Thaçi në prill të vitit 2013, dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, nga i cili derivojnë dhe kushtet e operimit e të koordinimit të FSK-së dhe KFOR-it për pjesën veriore të Kosovës.
E ritheksoj, ashtu siç e kam thënë në çdo paraqitje timen publike, që personalisht nuk pajtohem me atë zotim, pasi vazhdoj të mendoj se ka qenë zotim i gabuar dhe i dëmshëm për ushtrinë tonë, si dhe me pasoja afatgjata. Mirëpo ashtu siç e kemi deklaruar si Ministri e Mbrojtjes dhe si Qeveri e Kosovës, letrën zotuese të vitit 2013 do ta respektojmë, sepse jemi të përgjegjshëm karshi obligimeve të trashëguara institucionale për aq kohë sa janë në fuqi.
Përgjegjësi e imja dhe e Komandantit të KFOR-it tani kur veçse ekiston zotimi i vitit 2013 i dhënë nga ish Kryeministri Thaçi, është që të sigurojmë njëri-tjetrin që do të bëjmë veprimet e nevojshme për të garantuar që angazhimi ynë ushtarak në veri të bëhet në mënyrë të koordinuar”.