Minatorët sërish në grevë, prapë s’u ekzekutohen pagat
Minatorët e Trepçës, sërish kanë hyrë në grevë për arsye të ngjashme si herën e fundit – të njëjtëve s’u janë ekzekutuar pagat e plota.
Lajmin e ka konfirmuar përfaqësuesi i sindikatës së punëtorëve të Trepçës, Destan Kërleshi.
Kërleshi, ka bërë të ditur se kjo është dita e 6-të që minatorët s’kanë shkuar në punë.
“Javën e kaluar më saktësisht të premten na është deponuar 68% e pagës, ndërsa pjesa tjetër nuk ka dalë akoma. Nga e premta, ndërrimi i dytë në njësinë e Stantërgut komplet Trepçën nuk është duke punuar, janë në grevë. Pra, ndërrim i parë ka punuar, ndërrimi i dytë s’ka punuar”, ka deklaruar Kërleshi për Albanian Post.
Në muajin nëntor, minatorët kishin qëndruar në grevë për 10 ditë kështu duke kërkuar plotësimin e tri kërkesave përmirësimin e kushteve, shkarkimin e kryeshefit të Trepcës, Enis Abdurrahmani dhe pagat t’u dalin me kohë.
Me uniformë të vjetruar, çizme të baltosura e helmetë të zymtuar minatorët punojnë tash e sa vjet në këtë minierë.
Kërkesë e tyre ka qenë vazhdimisht përmirësimi i kushteve, por që asnjëherë s’u dëgjuan nga pushteti.
Kjo ka dërguar në greva të njëpasnjëshme.
Kompleksi metalurgjik Trepça, deri në vitet 90 atëherë kur ishte përkeqësuar situata politike, ishte llogaritur si një prej ndërmarrjeve më të mëdha, jo vetëm në Kosovë, por edhe në territorin e Jugosllavisë së atëhershme.
Rënia e prodhimit ka nisur në vitet 90 kur regjimi i atëhershëm i Serbisë ka vendosur masa të dhunshme në Kosovë, kështu duke mbyllur gati të gjitha ndërmarrjet dhe institucionet në vend.
Ndërmarrja nuk ka arritur asnjëherë të vihet në funksion të zhvillimit ekonomik të Kosovës, por pritet të kalojë nën Fondin Sovran të Qeverisë së Kosovës.
Fond ky i cili do t’i marrë nën pronësi të gjitha asetet strategjike të Kosovës, për të investuar më pas në rritjen e vlerës së tyre, ndërsa miratimi i tij është paraparë që të bëhet brenda vitit 2023.